Padyshim që akademik Idrizi Ajeti është një nga figurat e gjalla më të rëndësishme në jetën tonë shkencore, intelektuale dhe kulturore në përgjithësi. Ai sot ka kaluar një shekull e një vit jetë, përkatësisht feston 101 vjetorin e lindjes së tij.
Akademik Ajetin jo vetëm që e bën të veçantë mosha të cilën ka arritur, por të veçantë e bën edhe angazhimi i madh gjatë shekullit që jetoi. Siç dihet ai pati fatin të jetojë dhe krijoi në tri regjime, nëpër të cilat la gjurmë jo vetëm të krijimit, por edhe të rezistimit intelektual. Shkenca albanologjike u rrit dhe u zhvillua me të, madje jo vetëm brenda kufijve të vendit, por edhe jashtë tij. Shih për këtë Akademik Idriz Ajetin e kanë renditur vazhdimisht përkrah studiuesve më të mëdhenj të gjuhës shqipe si Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Dhimitër Gjuvani dhe Shaban Demiraj. .
Idriz Ajeti lindi në fshatin Tupallë të Komunës së Medvegjës më 26 qershor të vitit 1917. Shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më1930, ndërsa të mesmen e kreu në Shkup, ndërsa më1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë, të Universitetit të Zagrebit – në Degën e Romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949, në Fakultetin e Filozofisë në Beograd. Që atëherë e deri në vitin 1953, me cilësi profesori të gjuhës shqipe, punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Nga viti 1953, deri në vitin 1960, me cilësi lektori, jepte mësim në Degën e Albanologjisë, të Fakultetit të Filozofisë, të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë. Që nga viti 1960, njëherë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar, jep mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës.
Iu dhanë disa shpërblime e dekorata, ndër të cilat edhe Shpërblimi i 7 korrikut dhe ai i KAÇKJ. Presidenti Ibrahim Rugova e dekoroi me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa me rastin e 90-vjetorit të lindjes, Presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi me Çmimin Presidencial për. Studiues. Hetimi i dialekteve nga pikëpamja diakronike, pastaj trajtimi i dokumenteve të moçme gjuhësore të shkruara me alfabetin arabo-turk dhe më në fund studimi i marrëdhënieve të shqiptare-serbe janë fusha të interesimit shkencor të Idriz Ajetit. Akademik Ajeti merret edhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe. Qe iniciator i shumë konsultave dhe marrëveshjeve gjuhësore, ku u kërkuan shtigje të reja për njësimin e gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj. Hartoi tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës (1960), u nxor revista shkencore Gjurmime albanologjike 1962, e më 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj. Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 ishte rektor i Universitetit të Prishtinës. Pas zgjedhjeve paralele të vitit 1998 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, zgjidhet kryetar i parë i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996- 1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në vitin 1997, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i ka botuar veprën e plotë në pesë vëllime.