“Bimët i kultivuan në një shtëpi me qira në Prizren”, aktakuzë ndaj tre personave për tri vepra penale

“Bimët i kultivuan në një shtëpi me qira në Prizren”, aktakuzë ndaj tre personave për tri vepra penale

Kronika November 23, 2026 - 14:20

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave të dyshuar për tri vepra penale.

Sipas organit të akuzës, për I.M. dhe M.M. ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kurse, sipas njoftimit, i pandehuri K.S. akuzohet për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”.

“Sipas aktakuzës, të pandehurit I.M. dhe M.M., në bashkëkryerje, nga një periudhë e pavërtetuar e deri më 2 prill 2026, kanë kultivuar bimën ‘Cannabis Sativa’ në një shtëpi me qira, në Prizren, me qëllim të prodhimit të narkotikëve. I pandehuri. I.M., ka financuar këtë veprimtari, duke blerë pajisjet dhe materialet e nevojshme, ndërsa M.M., është marrë me instalimin e pajisjeve, mbjelljen dhe kultivimin e bimëve narkotike”, thuhet në njoftim.

Në njoftim janë dhënë detaje edhe për kontrollet që janë kryer.

“Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, më 2 prill 2026, në këtë shtëpi është zbuluar një laborator i pajisur për kultivimin e kanabisit, ku janë sekuestruar pajisje të shumta për ndriçim, ngrohje dhe ventilim, preparate për rritjen e bimëve, pajisje matëse, pompa, materiale dhe shënime me udhëzime për kultivimin e ‘Cannabis Sativa’, si dhe gjithsej 706 vazo për kultivimin e bimëve narkotike. Nga ky numër, 450 vazo janë gjetur brenda shtëpisë, ndërsa 256 të tjera në një automjet të parkuar në oborrin e saj. Gjatë kontrollit janë sekuestruar mostra të bimëve, të cilat sipas ekspertizës kanë rezultuar se përmbajnë kanabis. Gjithashtu, më 2 prill 2026, në një deponi në Prizren, janë gjetur mbetje të djegura të bimëve narkotike, të cilat dyshohet se i pandehuri M.M. kishte tentuar t'i asgjësonte”, thuhet në njoftim.

Përveç kultivimit të bimëve narkotike, I.M. dhe M.M., sipas aktakuzës, ngarkohen edhe për armëmbajtje pa leje, me ç’rast gjatë kontrolleve, në shtëpinë e I.M. janë gjetur 27 fishekë, ndërsa në shtëpinë e M.M. një pistoletë e konvertuar në armë zjarri, me karikator të zbrazët dhe dy fishekë.

“Ndërkaq, K.S. akuzohet se, më 31 mars dhe 1 prill 2026, ka ndihmuar M.M. në asgjësimin e bimëve narkotike, duke bartur me automjetin e tij, thasët e mbushur me bimë ‘Cannabis Sativa’ nga shtëpia drejt deponisë në Prizren, me qëllim të asgjësimit të tyre”, thuhet tutje në njoftim.