“Çomni n’qeli, asnjë minutë s’rri ma këtu” - Salih Sekiraqa revoltohet në Gjykatë, ndërpritet seanca

“Çomni n’qeli, asnjë minutë s’rri ma këtu” - Salih Sekiraqa revoltohet në Gjykatë, ndërpritet seanca

Kronika November 23, 2026 - 12:29

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për rastin e vrasjes në “Aktash”, reagimi i të akuzuarit Salih Sekiraqa gjatë elaborimit të përgjimeve, bëri që sesioni i paradites i seancës së të hënës të ndërpritet për të vazhduar pasdite.

Në këtë rast: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, akuzohen lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen “Aktash” në Prishtinë.

“Zonja gjykatëse a ka mundësi me më çu në qeli, nuk muj me nejt mo këtu, ja, ja, nuk muj me nejt mo këtu, ju kisha lutë çomni në qeli… asnjë minutë nuk rri mo këtu”, tha i akuzuari Sekiraqa.

Ky reagim i të akuzuarit Sekiraqa erdhi pasi mbrojtësi i të akuzuarit Korab Gashi, avokati Kujtim Kërveshi kërkoi që të krahasohen fjalët e të mbrojturit të tij të dëgjuara në përgjime, me ato që u diktuan për procesverbal nga mbrojtësja e të akuzuarit Robert Llumnica, avokatja Kosovare Kelmendi.

“Nuk rri mo këtu, s’ka kushte, veç ai po fol, ai po vetet, ai krejt. S’ka kushte këtu… veç ai po vetet, ai po kep, ai po pren… mashtrues o ky, ky është shpifës, ky është pedofil”, tha i akuzuari Sekiraqa.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku, e ndërpreu sesionin e paradites të këtij shqyrtimi. Ndërkaq, seanca do të vazhdojë me sesionin e pasdites.

“Në 10:51 seanca ndërpritet dhe e njëjta do të vazhdojë në sesionin e pasdites, për shkak të situatës së tensionuar në sallë”, deklaroi gjyqtarja Dërmaku.

Paraprakisht, seanca filloi me administrimin e raportit të ekspertimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, në lidhje me dy fragmentet metalike të nxjerra nga trupi i të akuzuarit Llumnica.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Valdrin Ademi, avokati Driton Musliu, deklaroi se trupi gjykues ende nuk ka vendosur në lidhje me kërkesën e tij për mospublikimin e përgjimeve në media, kërkesë e bërë në seancën e kaluar. Ai ka arsyetuar se këto përgjime përmbajnë biseda personale në mes të të akuzuarve dhe familjarëve të tyre.

Ndërkaq, prokurori Bashkim Zeqaj deklaroi se në seancën e kaluar, të gjitha palët u dakorduan që të gjatë dëgjimit të përgjimeve, të fokusohen vetëm te pjesët që janë relevante për këtë çështje.

Ai shtoi se ka qenë shumë i kujdesshëm lidhur me çështjet qe kanë të bëjnë me privatësinë e të akuzuarve, si dhe propozoi që të dëgjohen të gjitha incizimet.

Në vijim, i akuzuari Sekiraqa deklaroi se duhen të dëgjohen të gjitha përgjimet, pasi ato janë në interes për publikun. Ndërsa, avokatja Kelmendi propozoi që të mos përjashtohet publiku, apo të mos ndalohet publikimi i përgjimeve në medie, në mënyrë që të mos shpërndahet informacion i mangët, pasi kjo është një çështje e ndjeshme dhe komplekse.

Kurse, avokati Kërveshi deklaroi se transkriptimet e përgjimeve të Prokurorisë, përmbajnë biseda të të akuzuarit Gashi me bashkëshorten e tij, ndërsa prokurori Zeqaj nuk është kujdesur që të mos përfshihen bisedat personale mes të akuzuarve dhe familjarëve, si dhe avokatëve të tyre.

Më tej, mbrojtësi i të akuzuarit Sekiraqa, avokati Skender Musa, propozoi që shqyrtimi të mbahet publik dhe të lejohen mjetet e informimit.

Pas konsultimit, trupi gjykues e aprovoi pjesërisht propozimin e avokatit Musliu dhe iu ndalua mediave që të publikohen transkriptimet e bisedave të të akuzuarve dhe familjarëve të tyre, si dhe bisedat me avokatët e tyre.

Me pas, seanca vijoi me dëgjimin dhe komentimin e përgjimeve nga palët në procedurë.

Rasti po gjykohet nga trupi gjykues, me kryetare - Fatime Dermakun dhe anëtarët: Alltën Murseli dhe Ertan Sejfulla.

Ndryshe, në seancën fillestare më 6 maj 2026, të akuzuarit Korab Gashi, Valdrin Ademi dhe Erd Marevci u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, Vesel Bunjaku u deklarua i pafajshëm për “Armëmbajtje pa leje” dhe për “Manipulim me prova”. Kurse Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Abazi u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje të rëndë”, ndërkaq e pranuan fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”.

Ndërkaq, në seancën e 26 gushtit 2026, të akuzuarit Korab Gashi, Valdrin Ademi dhe Erd Marevci u deklaruan sërish të pafajshëm për “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Të akuzuarit Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Ajvazi u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje të rëndë”, kurse e pranuan fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”. Ndërkaq, fajësinë e pranoi për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Manipulim me prova” i akuzuari Vesel Bunjaku, të cilit iu veçua procedura, kurse më 28 gusht 2026, Bunjaku u dënua me 7 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Kujtojmë se më 21 korrik 2026, nisi gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarve Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci. Gjykimi ndaj tyre po zhvillohet në mungesë, meqenëse dy të akuzuarit deri tani janë të paarritshëm për drejtësinë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 12 shkurt 2026 kishte ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, rasti ndërlidhet me një përplasje të armatosur mes dy grupeve në lokalin “From”, ku si pasojë mbeti i vrarë Premtim Gashi, dhe disa persona të tjerë u plagosën. Të akuzuarit ngarkohen për disa vepra penale, duke përfshirë “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Manipulim me prova”, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Motivi i sulmit, sipas aktakuzës, lidhet me konfliktin e mëhershëm të datës 4 mars 2024, të ndodhur mes Shkumbin Sekiraqës (djali i Salih Sekiraqës) dhe Pajtim Gashit (vëllai i tani të ndjerit Premtim), i cili e kishte përshkallëzuar konfliktin mes dy grupeve. /Betimi për Drejtësi