QKMF-ja në Klinë jep detaje për vdekjen e pacientes: Pati reaksion alergjik pas fillimit të infuzionit
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë ka dhënë detaje lidhur me rastin e vdekjes së pacientes 43-vjeçare, e cila dyshohet se pësoi reaksion alergjik menjëherë pas fillimit të marrjes së infuzionit.
Në një komunikatë për media, QKMF-ja ka bërë të ditur se pacientja fillimisht kishte marrë shërbim specialistik te mjeku infektolog, i cili i kishte përshkruar terapi me infuzion.
Sipas njoftimit, menjëherë pas fillimit të marrjes së infuzionit, pacientja kishte shfaqur reaksion alergjik, pas së cilës ishte dërguar në urgjencën e QKMF-së, transmeton Zeri.info.
Aty, mjeku internist, së bashku me mjekët e tjerë, kishte ndërmarrë trajtimin e reaksionit alergjik.
Megjithatë, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pacientja ishte transferuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal në Pejë, e shoqëruar nga një mjek dhe një infermier.
QKMF-ja ka bërë të ditur se për shkak të ngarkesës në trafik ishin angazhuar edhe njësitë policore të Klinës, me qëllim të përshpejtimit të transportit.
“Gjatë pjesës më të madhe të rrugës është kryer reanimim kardiopulmonar, ndërsa në Pejë pacientja është intubuar. Megjithë masat intensive dhe terapeutike të ndërmarra, pacientja ka ndërruar jetë”, thuhet në komunikatë.
Institucioni ka bërë të ditur se rasti është aktualisht nën hetim nga organet kompetente dhe se do të ofrojë të gjithë dokumentacionin mjekësor të kërkuar.
QKMF-ja ka shprehur ngushëllime për familjen e pacientes, duke theksuar se nuk do të japë komente të mëtejshme gjatë zhvillimit të hetimeve.
“Duke respektuar ndjeshmërinë e rastit, dinjitetin e pacientes dhe privatësinë e familjes, QKMF nuk do të bëjë komente të mëtejshme gjatë zhvillimit të hetimit”, thuhet në njoftim. /Zëri