Vrasja e 38-vjeçares në Austri, i dyshuari nga Kosova besonte se bashkëshortja ishte shtrigë

Vrasja e 38-vjeçares në Austri, i dyshuari nga Kosova besonte se bashkëshortja ishte shtrigë

Kronika November 13, 2026 - 13:28

Një rast i rëndë i vrasjes së një nëne të katër fëmijëve në Austri ka marrë një tjetër zhvillim, pasi edhe një 45-vjeçar nga Kosova është arrestuar nën dyshimin për bashkëpunim në vrasje dhe trafikim të paligjshëm të armëve.

Sipas mediumit austriak “Heute”, ngjarja kishte ndodhur më 5 prill në Sooß të Austrisë, ku një 47-vjeçar, shtetas nga Kosova, dyshohet se kishte vrarë bashkëshorten e tij 38-vjeçare.

Sipas aktakuzës, burri fillimisht i kishte dërguar bashkëshortes dhuratat e Pashkëve, ndërsa më pas dyshohet se kishte qëlluar tri herë me pistoletë në drejtim të saj dhe e kishte goditur rreth 40 herë me kaçavidë në pjesën e sipërme të trupit, transmeton Zeri.info.

Pas vrasjes, ai dyshohet se e kishte bartur trupin e pajetë në kopsht dhe e kishte fshehur.

Ndërkohë, në nëntor para trupit gjykues pritet të përballet edhe një 45-vjeçar, i dyshuar se ia kishte siguruar armën autorit të dyshuar të vrasjes. Prokuroria pretendon se ai e dinte se arma do të përdorej për vrasjen e bashkëshortes.

Megjithatë, avokati i tij, Mirsad Musliu, i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se klienti i tij nuk ia kishte shitur armën të dyshuarit, por kishte tentuar t'ia shiste atë.

Rasti ka marrë vëmendje edhe për shkak të gjendjes psikike të të dyshuarit kryesor. Sipas një ekspertize të re psikiatrike, ai vuan nga psikozë dhe konsiderohet i paaftë për të kuptuar veprimet e tij në aspektin penal.

Mediumi austriak raporton se gjatë qëndrimit në paraburgim, ai fliste vazhdimisht për magji të zezë dhe demonë, ndërsa bashkëshorten e konsideronte shtrigë.

Avokati i 45-vjeçarit ka kundërshtuar përfshirjen e klientit të tij në vrasje, duke theksuar se, pavarësisht të kaluarës së tij kriminale, ai nuk ka lidhje me këtë krim.

Gjykimi pritet të zhvillohet në Gjykatën Rajonale të Wiener Neustadtit, ndërsa për të dyshuarit vlen prezumimi i pafajësisë. /Zëri