Përleshje në Burgun e Sigurisë së Lartë, dyshohet se “Kobra” sulmoi “Italianin”
Një incident fizik është regjistruar brenda Burgut të Sigurisë së Lartë, më 7 nëntor 2026, ku dy të dënuar dyshohet se janë përfshirë në një përleshje.
Sipas informacioneve të siguruara nga Arbresh.info, në këtë incident dyshohet se është përfshirë Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dënuarit Andi Pajaziti, i njohur si “Italiani”.
Rastin e ka konfirmuar edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), i cili ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur ndërmjet dy të dënuarve dhe se pas ngjarjes të dy janë trajtuar nga stafi shëndetësor i burgut.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës konfirmon se më 07.11.2026, në Burgun e Sigurisë së Lartë, ka ndodhur një incident në mes të dy të dënuarve. Pas incidentit, të dy të dënuarit janë trajtuar nga stafi shëndetësor i burgut, në përputhje me procedurat standarde që zbatohen në raste të tilla. Ndaj të dënuarve janë ndërmarrë masa disiplinore, ndërsa rasti është duke u hetuar edhe nga Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.
Ndryshe, Andi Pajaziti ishte dënuar me dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje, lidhur me rastin e vrasjes së Kastriot Ramadanit në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë. Ai ishte liruar nga akuza për vrasje, pasi gjykata kishte konstatuar se kishte vepruar në kuadër të mbrojtjes së nevojshme.
Në anën tjetër, Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”, është dënuar me 24 vjet burgim për vrasjen e një shtetasi të Shqipërisë në lokalin “Kobra City” në Prizren, më 3 janar 2023.