“Gjithçka mund të quhet, por jo drejtësi ” - reagon avokati i të akuzuarit për vrasjen e Diana Kastratit
Seanca gjyqësore ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati, është shtyrë për më 23 dhjetor, pasi avokati mbrojtës, Haxhi Millaku, ka kërkuar kohë për t’u pajisur me shkresat e lëndës dhe për të pasur qasje në dosjen e rastit.
Millaku ka pretenduar se, pavarësisht se autorizimin për mbrojtjen e Jasharit e kishte dorëzuar që në vitin 2011, gjatë procedurës paraprake nuk i ishte mundësuar qasja në dokumentet e rastit.
Ai ka kërkuar që seanca e sotme të ndërpritej dhe t’i jepej kohë e arsyeshme për t’u njohur me dosjen.
“Autorizimin si mbrojtës i të pandehurit Adnan Jashari e kam dorëzuar në procedurën paraprake dhe këtë në kohën kur i njëjti kërkohej që të kontaktojë me policinë hetimore. Autorizimi im është i deponuar që nga fillimi, në 48-orëshin e parë, që i bie nga viti 2011 organet e ndjekjes kanë pasur adresën e mbrojtësit të tij për të përfaqësuar tani të akuzuarin në mungesë për plotësimin e parakushteve ligjore për një hetim të rregullt, të drejtë e të ligjshëm. Është cenuar edhe e drejta si kategori kushtetuese, si mbrojtës nuk jam trajtuar siç kërkon ligji. Në asnjë veprim procedural që kanë bërë organet e ndjekjes para aktakuzës së ngritur dhe asnjëherë nuk më është dhënë qasje në dokumente dhe dosjen e kësaj çështjeje, edhe pse unë sot pranova aktakuzën nga gjykata. Nuk më janë plotësuar as kërkesat që të pajisem me shkresat e lëndës. Me marrë unë vesh prej mediave kur ka gjykim, gjithçka mund të quhet, por jo drejtësi. Kërkoj që seanca e sotme nga ky moment të ndërpritet, të pajisem me shkresat e lëndës, procesi i sotëm të shtyhet për një kohë të arsyeshme”, tha ai. /eo
