Prokuroria cakton 48 orë ndalim për një person lidhur me vdekjen e punëtorit në KEK
Një person është ndaluar për 48 orë në lidhje me rastin e vdekjes së një punëtori në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se ngjarja ka ndodhur më 20 gusht, rreth orës 14:50, gjatë kohës kur punëtori ishte duke u angazhuar në transportimin dhe zhvendosjen e kabllove 6kV, raporton Zeri.info.
Sipas të dhënave fillestare, punëtori dyshohet se ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe, si pasojë, ka pësuar lëndime të rënda që i kanë marrë jetën.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Inspektorati i Punës dhe Inspektorati i Brendshëm i KEK-ut.
Me urdhër të prokurorit kujdestar janë ndërmarrë veprimet hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Në kuadër të hetimeve, është ndaluar për 48 orë personi me inicialet A.K., nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas nenit 358 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i rastit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë provat e mbledhura dhe rrethanat e rastit, ndërsa më pas do të vendosë për veprimet e mëtejshme, përfshirë edhe mundësinë e kërkesës për caktimin e ndonjërës nga masat e sigurisë ndaj të dyshuarit. /Zëri