Sveçla: Armatimi në veri u gjet në zonën ku po gërmohet për tri varreza masive

Sveçla: Armatimi në veri u gjet në zonën ku po gërmohet për tri varreza masive

Kronika August 20, 2026 - 16:34

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të konsiderueshme armësh, municioni dhe pajisjesh ushtarake në fshatrat përreth Kalludrës në Zubin Potok.

Sveçla këtë deklaratë e bëri gjatë konferencës së jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, duke thënë se zbulimi i arsenalit është rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve të Kosovës.

“Ky arsenal armësh, municioni e pajisjesh është gjetur në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, një zonë tashmë e njohur për të gjithë ne. Pikërisht aty ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive, në të cilat janë gjetur mbetje mortore të 23 personave”, ka deklaruar Sveçla.

Sipas tij, sekuestrimi i armatimit dhe zbulimi i varrezave masive kanë ardhur pas shtrirjes së institucioneve të Kosovës në veri, vendosjes së rendit dhe ligjit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Sveçla tha se zbulimi i varrezave ka nxjerrë sërish në pah dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Veriu i vendit tonë, përveç se ishte skenë e krimeve të rënda ndaj civilëve shqiptarë, maltretimeve e dëbimeve, është shfrytëzuar edhe për fshehjen e trupave të viktimave”, tha ai.

Ministri në detyrë akuzoi Serbinë se ka investuar vazhdimisht që veriu i Kosovës të mbetet i destabilizuar dhe rezistent ndaj institucioneve të sigurisë së Kosovës.

Ai theksoi se, gati tri dekada pas përfundimit të luftës, familjarët e personave të zhdukur vazhdojnë të presin për gjetjen e mbetjeve mortore të të dashurve të tyre.

“Ne kërkojmë përgjegjësi për të gjithë personat e përfshirë në krimet dhe fshehjen e trupave apo informacioneve për vendndodhjen e viktimave”, u shpreh Sveçla.

Ai bëri të ditur se në tri lokacione në këtë zonë janë gjetur mbetje mortore të 23 personave. Në lokacionin e parë janë gjetur mbetje të 13 personave, në të dytin të katër personave, ndërsa në lokacionin e tretë të gjashtë personave.

Gjatë konferencës, Policia e Kosovës ka prezantuar edhe armatimin, municionin dhe pajisjet ushtarake të gjetura dhe konfiskuara gjatë operacioneve në këtë zonë.