Hoxha: Policia gjeti 72 armë dhe mbi 4,800 fishekë në zonën e Kalludrës në Zubin Potok

Hoxha: Policia gjeti 72 armë dhe mbi 4,800 fishekë në zonën e Kalludrës në Zubin Potok

Kronika August 20, 2026 - 16:50

Policia e Kosovës ka zhvilluar disa operacione për zbulimin e armëve ilegale në komunën e Zubin Potokut, gjatë të cilave janë kontrolluar 48 lokacione dhe janë gjetur sasi të konsiderueshme armësh, municioni, eksplozivësh dhe pajisjesh ushtarake.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bëri të ditur se operacionet janë zhvilluar nga 6 deri më 17 gusht, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës.

Sipas Hoxhës, operacionet kanë nisur pas informacioneve të pranuara përmes rrugëve të ndryshme operative, përfshirë bashkëpunimin me qytetarët.

“Armët e zjarrit dhe eksplozivët vazhdojnë të jenë rrezik i madh për sigurinë e qytetarëve tanë. Me qëllim të parandalimit të tyre, Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, AKI-në dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës, nga 6 deri më 17 gusht ka zhvilluar disa operacione për zbulimin e armëve ilegale në zonën e komunës së Zubin Potokut”, tha Hoxha.

Gjatë operacioneve janë gjetur gjithsej 72 armë, përfshirë:

2 mitralozë;

11 pushkë AK-47;

22 armë të gjata të llojeve të ndryshme;

27 pushkë gjuetie;

9 armë të shkurtra;

1 pushkë ajrore.

Policia ka gjetur gjithashtu 7 mjete shpërthyese, 7 granata dore dhe 4,831 copë municion të kalibrave të ndryshëm.

Përveç armatimit, gjatë kontrolleve janë gjetur pjesë armësh, karikatorë, pajisje optike, kaseta dhe magazina armatimi, si dhe pajisje të tjera ushtarake.

Sipas Hoxhës, në mesin e materialeve të sekuestruara kishte edhe thika, maska gazi, dylbi, radiolidhje, çanta dhe uniforma ushtarake.

“Është gjetur një numër i madh uniformash, çantash ushtarake të ushtrisë serbe dhe të policisë serbe, si dhe pajisje të tjera që ndërlidhen me qëllime ushtarake”, deklaroi ai.