Policia në Prizren ndërhyn pas rënies së bllokave ndërtimore në rrugë, gjobitet drejtuesi i kamionit
Policia ka intervenuar të mërkurën në rrugën Zhur–Dragash, në segmentin e njohur si “Laku i Keq”, pasi disa blloqe ndërtimore kishin rënë nga një mjet transportues dhe kishin penguar e rrezikuar qarkullimin e automjeteve.
Policia përmes njoftimit ka bërë të ditur se,gjatë ndërhyrjes është konstatuar se drejtuesi i kamionit kishte vazhduar lëvizjen pa u ndalur pas rënies së materialeve ndërtimore në rrugë, raporton Zeri.info.
Njoftimi i plotë:
Më datë 19.08.2026, rreth orës 11:00, patrulla policore e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor (NJRTRR) Prizren ka pranuar informacionin se në rrugën Zhur–Dragash (te Laku i Keq) nga një mjet transportues kishin rënë në rrugë disa blloka ndërtimorë, duke penguar dhe rrezikuar qarkullimin e automjeteve.
Patrulla policore ka intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është vërtetuar gjendja faktike. Ngasësi i mjetit transportues ka vazhduar lëvizjen pa u ndalur. Në bashkëpunim me patrullën policore të Stacionit Policor të Dragashit, është arritur të ndalohet mjeti transportues – një kamion me tabela vendore, pronë e një kompanie nga Prizreni.
Me këtë rast, patrulla policore i ka shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje drejtuesit të mjetit dhe personit juridik (kompanisë), në bazë të Ligjit të Trafikut 08/L-186.
Nga kompania e autorizuar është bërë menjëherë largimi i bllokave të rëna në rrugë, duke normalizuar qarkullimin e automjeteve.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që të ofrojë siguri në komunikacion, të parandalojë rreziqet dhe të garantojë një qarkullim të lirë e të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.