Prokuroria konfirmon: Vezir Haziraj ndalohet për 48 orë pas dorëzimit në Polici
Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar se Vezir Haziraj, i dyshuari për veprën penale “Vrasje në tentativë”, pas intervistimit nga hetuesit policorë do të ndalohet për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Haziraj u dorëzua sot në Policinë e Kosovës, pasi për më shumë se një javë ndodhej në arrati lidhur me rastin e plagosjes me armë zjarri në fshatin Orrobërdë të Istogut.
Sipas konfirmimit të Prokurorisë, pas përfundimit të intervistimit nga hetuesit policorë, ndaj tij do të caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh.
“I dyshuari pas intervistimit nga hetuesit policorë do të ndalohet për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit. Brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore, për çka do t’ju mbajmë të informuar”, kanë bërë të ditur nga Prokuroria.
Policia kishte njoftuar më herët se Haziraj ishte lokalizuar pas një operacioni ku ishin angazhuar disa njësi policore dhe AKI-ja, ndërsa shtëpia ku ndodhej ishte mbajtur e rrethuar për një kohë të gjatë.
Sipas Policisë, pasi kishte parë se nuk kishte mundësi largimi, Haziraj ishte dorëzuar pa ndonjë incident.
Ai dyshohet se më 7 gusht, pas një mosmarrëveshjeje në Orrobërdë, kishte shtënë me armë zjarri duke plagosur një person, ndërsa më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Rasti ndaj tij po hetohet si “Vrasje në tentativë”, ndërsa brenda afatit ligjor pritet të vendoset për hapat e mëtejshëm proceduralë ndaj tij. /sinjali