Aksion kundër shmangies së tatimit në Ferizaj, inspektohen 32 autoparkingje

Aksion kundër shmangies së tatimit në Ferizaj, inspektohen 32 autoparkingje

Kronika July 29, 2026 - 08:45

Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj ka bërë të ditur se të martën ka zhvilluar një aksion të gjerë në kuadër të luftimit të shmangies së tatimit, informalitetit dhe shkeljeve të tjera ligjore që lidhen me marrëdhëniet e punës.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është realizuar me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese.

Gjatë kontrollit të zhvilluar nga ora 09:20 deri në 15:30 janë inspektuar gjithsej 32 auto-parkingje në qytetin e Ferizajt. Sipas autoriteteve, gjatë inspektimeve janë evidentuar shkelje të ndryshme të kryera nga pronarët e bizneseve.

Raporti i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:

Shmangie nga tatimi

Ferizaj, 28.07.2026 – 09:20-15:30. Më datën 28.07.2026, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese, kanë ndërmarrë veprime në drejtim të luftimit të shmangies së tatimit, informalitetit dhe shkeljeve tjera ligjore nga marrëdhënia e punës. Gjatë inspektimit në 32 autoparkingje, janë gjetur dhe evidentuar se ka pasur shkelje të cilat janë kryer nga pronarët e bizneseve në qytetin e Ferizajt. Në vazhdën e veprimeve për këtë aktivitet, nga inspektorët janë përpiluar procesverbale mbi të gjetjet, ku në të ardhmen do të ndërmerren veprimet procedurale sipas kompetencës. /Zëri