E konfirmon Policia, një grua vdiq gjatë aksidentit në rrugën Mitrovicë - Prishtinë
Një grua ka humbur jetën në një aksident trafiku, që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, përkatësisht në fshatin Studime.
Këtë e ka konfirmuar për “Zërin” zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
Ai ka thënë se në këtë aksident ku u përfshin dy vetura, janë lënduar edhe disa persona të tjerë.
“Rreth orës 05:00, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, në fshatin Studime, është shkaktuar një aksident trafiku ku janë përfshirë dy automjete. Aksidenti ka rezultuar me pasoja fatale, ku një femër raportohet se ka humbur jetën dhe disa persona tjerë kanë marrë lëndime trupore. Ekipet emergjente dhe zjarrfikësit kanë reaguar në vendin e ngjarjes, përderisa policia po zhvillon hetime për të konstatuar shkaqet e aksidentit”, ka treguar Hoxha.
Hoxha ka bërë apel për kujdes të shtuar në trafik, pasi ditëve të fundit është rritur numri i aksidenteve dhe viktimave.
“Ditëve të fundit ka pas raportime për humbje jetësh nëpër rrugët tona si pasojë e aksidenteve në trafik, Policia po punon me ekipet e saj për parandalimin e tyre dhe marrjen e masave operative. Kërkojmë nga të gjithë drejtuesit e automjeteve të jenë më të kujdesshëm, të respektojnë shenjat e trafikut dhe kushtet e rrugës. Të mos përdorin telefonat gjatë vozitjes, sepse shpërqendrimi gjatë vozitjes mund të jetë fatal për ta dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik”, apeloi Hoxha. /Zëri