Aktakuzë ndaj një personi në Gjakovë, i sekuestrohen marihuanë, kokainë dhe mbi 10 mijë euro

Aktakuzë ndaj një personi në Gjakovë, i sekuestrohen marihuanë, kokainë dhe mbi 10 mijë euro

Kronika July 14, 2026 - 16:28

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet E.K., nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas aktakuzës, më 12 shtator 2025, rreth orës 20:15, në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, i pandehuri u ndal nga Policia e Kosovës teksa po lëvizte me një motoçikletë të tipit Honda.

Gjatë kontrollit, në çantën e tij u gjetën nëntë qese plastike me 12.82 gram substancë narkotike, si dhe 945 euro dhe 2.000 lekë.

Prokuroria bën të ditur se më pas është kryer kontroll dhe bastisje në shtëpinë e të pandehurit, ku janë sekuestruar 9.990 euro, 10 franga zvicerane, disa qese me substanca në formë bari dhe pluhuri, katër peshore digjitale, qese najloni të zbrazëta, gërshërë, thikë dhe një lugë e vogël, të cilat dyshohet se përdoreshin për përgatitjen dhe shpërndarjen e narkotikëve.

Sipas raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzik (AKF), substancat e sekuestruara rezultuan të ishin 187.41 gram marihuanë dhe 4.56 gram kokainë.

Me këto veprime, E.K. akuzohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit./Zëri