Arrestohet 33-vjeçari në Kaçanik, dyshohet se sulmoi prindërit e tij
Foto: Laura Hasani

Arrestohet 33-vjeçari në Kaçanik, dyshohet se sulmoi prindërit e tij

Kronika July 12, 2026 - 17:40

Një 33-vjeçar është arrestuar në Kaçanik, pasi dyshohet se ka sulmuar dhe kanosur prindërit e tij.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur sot (e diel, 12 korrik 2026) rreth orës 10:45, pasi policia ka pranuar një njoftim për një mosmarrëveshje ndërmjet disa personave në një rrugë të qytetit.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se i dyshuari kishte sulmuar dhe kanosur prindërit e tij. Dy viktimat janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik për trajtim mjekësor, ndërsa më pas janë shoqëruar në stacionin policor për procedurat e nevojshme. Lidhur me rastin është intervistuar edhe një dëshmitar.

Edhe i dyshuari ka marrë trajtim mjekësor, pasi kishte deklaruar se nuk ndihej mirë.

Pas konsultimit me prokurorin e shtetit, është iniciuar rasti për veprat penale “Sulm” dhe “Kanosje”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore.