Vdes punëtori pasi ra nga kulmi i një shtëpie në Prizren, arrestohet punëkryesi

Vdes punëtori pasi ra nga kulmi i një shtëpie në Prizren, arrestohet punëkryesi

Kronika July 14, 2026 - 09:28

Një person ka humbur jetën, pasi dyshohet se ka rënë nga kulmi i një shtëpie në Prizren, ndërsa policia ka arrestuar punëkryesin e objektit nën dyshimin për heqje të pajisjeve mbrojtëse.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 13 korrik 2026, në rrugën "Kalaja e Krujës" në Prizren.

Dyshohet se viktima, një mashkull kosovar, ka rënë nga një lartësi prej rreth tetë metrash, duke pësuar lëndime fatale. Vdekja e tij është konstatuar në vendin e ngjarjes nga mjeku kujdestar.

Njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendngjarje, ndërsa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.

Lidhur me rastin është arrestuar punëkryesi i objektit, një mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim. /Zëri