Ekstradohen nga Gjermania në Kosovë dy persona të kërkuar nga INTERPOL-i
Dy shtetas kosovarë, të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar, janë ekstraduar nga Gjermania në Kosovë, në një operacion të realizuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet gjermane.
Policia e Kosovës njoftoi se ekstradimi është kryer të premten, më 3 korrik, nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të policisë dhe institucionet e drejtësisë.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për personat me inicialet F.H. dhe M.Gj., të cilët ishin arrestuar në Gjermani pasi kërkoheshin nga INTERPOL-i me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Njëri prej tyre dyshohet për veprën penale "Mashtrim", ndërsa tjetri për veprën penale "Shtytje në vrasje të rëndë". Sipas Policisë, të dyshuarit i ishin shmangur drejtësisë.
Policia thekson se ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe autoriteteve gjermane.
Pas mbërritjes në Kosovë, F.H. dhe M.Gj. u janë dorëzuar njësive kompetente të Policisë së Kosovës në rajonet e Mitrovicës dhe Gjakovës, ku do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore. /Zëri