I riu shqiptar humb jetën në vendin e punës në Itali
Tragjike: I riu shqiptar humb jetën në vendin e punës në Itali
02.07.2026 17:29
Një aksident i rëndë në vendin e punës i ka marrë jetën një 27-vjeçari shqiptar në Itali, duke e shtuar edhe më tej listën e viktimave nga incidentet në punë në rajonin e Venetos.
Floriano Cani, 27 vjeç, banor i Gemona del Friuli, ndërroi jetë më 30 qershor në një spital në Padova, katër ditë pasi u plagos rëndë gjatë një aksidenti në Due Carrare. I riu ishte shtypur nga një shtyllë telekomunikacioni teksa ishte duke punuar, shkruajnë media në Itali.
Menjëherë pas incidentit, ai humbi ndjenjat dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit me ambulancë ajrore. Mjekët e shtruan në repartin e kujdesit intensiv, ku iu nënshtrua të gjitha ndërhyrjeve dhe trajtimeve të nevojshme.
Megjithatë, dëmtimet e marra rezultuan tepër të rënda dhe, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, 27-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Sipas mediave italiane, që në momentet e para pas aksidentit u kuptua se gjendja e tij ishte kritike. Vdekja e Floriano Canit shënon një tjetër humbje tragjike në provincën e Padovës, ku një punëtor humb jetën gjatë ushtrimit të detyrës.
Pas ngjarjes ka reaguar edhe Roberto Toigo, sekretari i përgjithshëm i UIL Veneto, i cili kërkoi më shumë vëmendje ndaj sigurisë në vendin e punës.
“Rajoni i Venetos mban zi për një tjetër vdekje në vendin e punës. Pas katër ditësh në spital, punëtori shqiptar i shtypur nga një shtyllë në Due Carrare ka ndërruar jetë. Lista, fatkeqësisht, vazhdon të zgjatet, në një vit që e ka rikthyer rajonin tonë në zonën e kuqe për aksidente fatale. Shëndeti dhe siguria në vendin e punës duhet të rikthehen në qendër të debatit publik, me një angazhim të përbashkët për të ndalur këtë trend tragjik”, u shpreh ai.