Një muaj paraburgim për të dyshuarin dhe babanë e tij për vrasjen e imamit në Dragash

Një muaj paraburgim për të dyshuarin dhe babanë e tij për vrasjen e imamit në Dragash

Kronika July 02, 2026 - 09:50

Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të pandehurve të përfshirë në rastin e vrasjes së ndodhur më 29 qershor në fshatin Zlipotok të Dragashit.

Sipas njoftimit të gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar ndaj B.H., i cili dyshohet për veprën penale "Vrasja e rëndë", si dhe ndaj I.H., babait të tij, i cili dyshohet për veprën penale "Mosdhënia e ndihmës", pasi dyshohet se nuk i ka ofruar ndihmë viktimës edhe pse ka pasur mundësi ta bëjë këtë pa rrezikuar veten apo të tjerët.

Sipas hetimeve të deritanishme, më 29 qershor 2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok, si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme lidhur me shfrytëzimin e një prone (livadhi), B.H. dyshohet se e ka goditur me thikë G.T., duke i shkaktuar plagë fatale, nga të cilat viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Gjykata thekson se në këtë fazë ekziston dyshimi i bazuar se B.H. e ka privuar viktimën nga jeta në mënyrë mizore apo dinake, ndërsa I.H. nuk ka ndërmarrë veprime për t'i ofruar ndihmë personit të rrezikuar.

Megjithatë, gjykata nënvizon se këto dyshime do të vlerësohen dhe argumentohen gjatë fazave të mëtejme të procedurës penale.

Në arsyetimin e vendimit, gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se paraburgimi është i domosdoshëm për të siguruar praninë e të pandehurve në procedurë, për të parandaluar rrezikun e arratisjes dhe për të mundësuar zhvillimin e papenguar të hetimeve.

Sipas Gjykatës, ndaj B.H. ekziston rrezik konkret i ikjes, pasi pas ngjarjes ai dyshohet se është larguar nga vendi i krimit dhe më pas është arrestuar nga Policia. Po ashtu, paraburgimi është konsideruar i nevojshëm për sigurimin e provave materiale, marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rastit.

Gjykata vlerësoi se masat alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për të garantuar zhvillimin normal të procedurës penale. /Zëri