Zhdukja e 5-vjeçarit kosovar në Zvicër, policia e Aargaut jep detaje
Një ngjarje tragjike ka goditur familjen kosovare Rahimi në Zvicër, pasi djali i tyre 5-vjeçar, Tiani, rezulton i zhdukur që nga pasditja e së shtunës, pas një aksidenti me gomone në lumin Reuss, pranë Mühlaut në kantonin e Aargaut.
Sipas policisë kantonale të Aargaut, aksidenti ndodhi më 20 qershor 2026, pak para orës 14:00, kur gomonia me të cilën po lundronte familja u përplas me një pemë të rrëzuar në lumë dhe më pas u përmbys.
“Në gomone ndodheshin dy të rritur dhe dy fëmijë të moshës pesë dhe shtatë vjeç. Mjeti lundrues u përplas me një pemë të shtrirë në lumë dhe u përmbys”, thuhet në njoftimin e policisë.
Si pasojë e aksidentit, prindërit dhe vajza 7-vjeçare arritën të shpëtojnë dhe të dalin në breg, ndërsa Tiani 5-vjeçar u zhduk në ujërat e lumit.
“Prindërit dhe vajza shtatëvjeçare arritën të shpëtojnë në breg. Djali pesëvjeçar rezulton i zhdukur”, bëri të ditur policia e Aargaut.
Menjëherë pas incidentit u organizua një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi. Ekipet kërkuan për disa orë në ujë, nga ajri dhe përgjatë brigjeve të lumit, por pa arritur ta lokalizojnë fëmijën.
“Për disa orë u zhvilluan kërkime në ujë, nga ajri dhe nga brigjet e lumit. Fatkeqësisht, djali ende nuk është gjetur”, thuhet më tej në komunikatën zyrtare.
Në operacion u angazhuan dhjetëra pjesëtarë të shërbimeve emergjente, përfshirë policitë rajonale të Wohlenit, Murit dhe Bremgartenit, policinë kantonale të Aargaut, njësitë e policisë ujore, zhytësit e Policisë Kantonale të Cyrihut, ekipet e ambulancës, zjarrfikësit e Mühlaut dhe shërbimet e shpëtimit ajror.
“Një numër i madh forcash të shpëtimit dhe sigurisë morën pjesë në operacion, përfshirë helikopterin e shpëtimit, dronë policorë, njësitë e shpëtimit në lumenj dhe zhytës të specializuar”, njoftoi policia.
Ndërkohë, kërkimet për gjetjen e Tianit vazhdojnë, ndërsa familja Rahimi dhe komuniteti shqiptar në Zvicër po përballen me orë të vështira pritjeje dhe shprese.
Autoritetet zvicerane kanë nisur gjithashtu hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat që çuan në aksidentin e rëndë në lumin Reuss.