Policia konfiskon thika dhe një armë me gaz në Mitrovicë e Skenderaj

Policia konfiskon thika dhe një armë me gaz në Mitrovicë e Skenderaj

Kronika June 16, 2026 - 15:30

Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Jugut ka konfiskuar disa armë dhe ka iniciuar raste penale ndaj personave të dyshuar për posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas njoftimit të Policisë, më 11 qershor 2026, gjatë një pike kontrolli të realizuar nga njësitë policore të stacionit policor “Jugu” në Mitrovicë, në rrugën “Adem Voca” janë ndaluar dy vetura.

Gjatë kontrollit të personave që ndodheshin në automjete, policia ka gjetur dhe konfiskuar dy thika të tipit “flutur”, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.

Në një rast tjetër, po atë ditë në Skenderaj, policia ka pranuar informacione për të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar. Pas identifikimit të lokacionit dhe me autorizim të prokurorit, është kryer kontroll në vendin e ngjarjes.

Gjatë bastisjes, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe konfiskuar një revole me gaz.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionet policore përkatëse, ku janë intervistuar lidhur me rastet.

Me rekomandimin e prokurorit kujdestar, ata janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar procedura penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /Zëri