Milaim Zeka deklarohet sërish i pafajshëm për akuzën se kanosi prokurorin Afrim Shefiku

Milaim Zeka deklarohet sërish i pafajshëm për akuzën se kanosi prokurorin Afrim Shefiku

Kronika June 16, 2026 - 12:40

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë ish-deputeti Milaim Zeka u deklarua sërish i pafajshëm për akuzën se ka kanosur prokurorin Afrim Shefkiu.

Ish-deputeti Zeka ngarkohet se në vitin 2018 në një emision televiziv e ka kanosur prokurorin Shefkiu me fjalët: “Unë do ta ndjek këtë prokurorin tem, me gjyqe, me kanun dhe privatisht”, për shkak se ky i fundit kishte ngritur aktakuzë kundër tij për rastin e mashtrimit me viza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Deklarimin rreth fajësisë Zeka e bëri pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Albiona Musa.

Seanca vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse, ku prokurorja Musa tha se qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin gjyqësor paraprak. Njëjtë u deklarua edhe i dëmtuari - prokurori Afrim Shefiku.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Zeka, avokatja Agnesa Salihu tha se pasi që është autorizuar sot nga i mbrojturi i saj dhe sapo ka pranuar shkresat, me qëllim të mbrojtjes sa më efektive dhe të dinjiteshme, kërkon që seanca e sotme të ndërpritet.

Propozimin e saj e mbështeti edhe i akuzuari Zeka. Më pas, këtë propozim e aprovoi gjykatësi i rastit Driton Berisha dhe seanca u ndërpre për të vazhduar një datë tjetër.

Ndryshe, ky rast gjykohej nga gjykatësi Dibran Jusufi, por me transferimin e tij në Gjykatën Themelore në Gjilan, lënda kishte kaluar tek gjykatësja Albana Ukshini, mirëpo meqenëse e njëjta kishte shkuar në pushim, rasti ka kaluar tek gjykatësi Driton Berisha.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 23 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Milaim Zekës me arsyetimin se më 24 shtator 2018, në emisionin “DPT të Fidani” në televizionin T7, i njëjti e ka kanosur prokurorin e Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiun për shkak të detyrës zyrtare, i cili ndaj të pandehurit Zeka kishte ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe më 2 tetor 2018 ishte caktuar të mbahet seanca fillestare.

Sipas aktakuzës, Zeka e kishte kanosur prokurorin Shefkiu me fjalët “unë do ta ndjek këtë prokurorin tem, me gjyqe, me kanun dhe privatisht”, me ç’rast tek i dëmtuari Shefkiu ka shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë.

Me këtë, Zeka po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga Neni 185, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Kujtojmë se sa i përket rastit për mashtrim me viza, Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 prill 2022 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Milaim Zekës dhe dy të akuzuarve - Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu për veprat penale “Mashtrimi”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Pastrimi i parave”. Por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim rastin ndaj Zekës dhe Krasniqit sa i përket veprës penale “Shmangie nga tatimi”, kurse pjesën tjetër të aktgjykimit të Themelores e ka vërtetuar. Më pas, Themelorja në rigjykim e ka dënuar Zekën me 1 vit burgim me kusht dhe 3 mijë euro gjobë. Po ashtu, në emër të kompensimit të dëmit, obligohet t’ia kompensojë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) shumën prej 67 mijë eurove. Kurse, për pikën 2 të dispozitivit të aktakuzës, ku Zeka akuzohej bashkë me Krasniqin për “Shmangie nga tatimi”, Gjykata mori aktgjykim refuzues.