Dy serbë arrestohen në Gorazhdec, dyshohen për ndikim të kundërligjshëm në votues në favor të Listës Serbe
Dy persona janë arrestuar të dielën në fshatin Gorazhdec të Pejës, nën dyshimet se kanë tentuar të ndikojnë në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor, duke i orientuar ata të votojnë për Listën Serbe.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është identifikuar pas pranimit të informatave që lidhen me aktivitete të kundërligjshme të dyshuara, të cilat synonin ndikimin në procesin zgjedhor.
Policia ka bërë të ditur se njësitë relevante kanë ndërmarrë veprime operative në terren, përfshirë bastisje, gjatë të cilave janë hasur dhe arrestuar dy persona meshkuj, shtetas të Kosovës të nacionalitetit serb, transmeton Zeri.info.
“Të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit rajonalë dhe, me vendim të prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas autoriteteve, ndërhyrjet dhe ushtrimi i ndikimit në zgjedhje përbëjnë kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve.
Policia theksoi se veprimet janë ndërmarrë në koordinim me organet e drejtësisë dhe se institucionet mbeten të përkushtuara për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe parandalimin e çdo përpjekjeje për ndikim të kundërligjshëm te votuesit.
Njëkohësisht, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës lirshëm dhe pa presion, si dhe të raportojnë çdo parregullsi apo tentativë ndikimi tek institucionet kompetente. /Zëri