Supremja refuzon kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj grupit të dyshuar për narkotikë e pastrim parash
Foto: Laura Hasani

Supremja refuzon kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj grupit të dyshuar për narkotikë e pastrim parash

Kronika May 29, 2026 - 11:57

Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në çështjen penale ndaj një grupi të të pandehurve, të dyshuar për përfshirje në vepra të rënda kriminale.

Rasti përfshin të pandehurit të dyshuarit me inicialet R.N., R.B., A.I., A.Gj., E.I., Sh.B., A.V., B.Sh., R.V., R.B., A.R., E.B., A.M., K.D., O.V., L.T., K.B., K.A., Y.M. dhe S.L., të cilët dyshohen për “Pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar”, “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve”, si dhe “Shpërlarje parash”.

“ Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës, në çështjen penale ndaj të pandehurve: R.N., R.B., A.I., A.Gj., E.I., Sh.B., A.V., B.Sh., R.V., R.B., A.R., E.B., A.M., K.D., O. V., L.T., K.B., K.A., Y.M. dhe S.L., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe “Shpërlarja e parave”, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës.

“Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, me aktvendimin PPPS. nr. 50/2024 ua kishte vazhduar masën e paraburgimit të pandehurve për një periudhë prej dy (2) muajsh, deri më 03.05.2026, ndërsa në procedurën ankimore, Gjykata e Apelit e Kosovës-Departamenti Special, me aktvendimin PN1.S. nr. 221/2026, i refuzoi si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve dhe e vërtetoi aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Kundër këtyre aktvendimeve, siç thuhet, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka ushtruar mbrojtësi i të pandehurit Sh.B.

Gjykata Supreme thotë se pretendimet e paraqitura në kërkesë janë të pabazuara, pasi nga provat e administruara në shkresat e lëndës rezulton dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë, ndërsa vërtetimi i plotë i këtyre fakteve do të jetë objekt i shqyrtimit gjatë fazave të mëtejshme të procedurës penale

“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, ekziston bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit, duke marrë parasysh provat dhe informacionet e siguruara gjatë hetimeve, përfshirë komunikimet e siguruara përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, transkriptet e komunikimeve, lëvizjet dhe kontaktet ndërmjet të pandehurve dhe personave të tjerë të përfshirë në hetim. Sipas dyshimeve, të pandehurit kanë vepruar si grup kriminal i organizuar në trafikimin e lëndëve narkotike”, thuhet tutje në njoftim.

Gjykata po ashtu vlerësoi se ekziston rreziku i ikjes, duke pasur parasysh peshën e veprave penale dhe sanksionet e parapara, si dhe faktin se një pjesë e të pandehurve dyshohet se kanë përdorur identitete të rreme apo kanë ndërruar identitet për t’iu shmangur identifikimit dhe arrestimit eventual në shtete të tjera.

Po ashtu, Gjykata Supreme konstatoi se janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, për shkak të rrezikut se të pandehurit, nëse gjenden në liri, mund të ndikojnë në bashkëpandehurit, të koordinojnë deklaratat ose të pengojnë sigurimin dhe administrimin e provave, duke cenuar rrjedhën normale të procedurës penale.

“Gjithashtu, Gjykata Supreme vlerësoi se vazhdimi i paraburgimit është i arsyeshëm, duke marrë parasysh mënyrën e organizimit dhe strukturimit të grupit, rolet e ndara të të pandehurve, si dhe rrezikun e përsëritjes së veprave penale. Në këtë drejtim, u morën parasysh edhe karakteristikat personale dhe e kaluara kriminale e disa prej të pandehurve, përfshirë dënime të mëparshme brenda dhe jashtë Kosovës, edhe për vepra që ndërlidhen me narkotikë”.

“Nga të gjitha arsyet e cekura, Gjykata Supreme vlerësoi se nuk ekzistojnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi gjykatat e instancave më të ulëta kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm dhe të bazuar ligjërisht për vazhdimin e paraburgimit. Po ashtu, u vlerësua se masat më të lehta të parapara me Nenin 171 të KPP-së nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve dhe zhvillimin normal të procedurës penale”.