Vritet një person në Prishtinë
Një person ka mbetur i vrarë mbrëmjen e sotme në Prishtinë, pas të shtënave me armë zjarri në rrugën “Sali Nivica” në Breg të Diellit.
Lajmin për Zeri.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
“Rreth orës 20:30 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në rrugën ‘Sali Nivica’ në Prishtinë”, deklaroi Pllana.
Sipas tij, njësitet policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e një personi.
“Njësitet policore dhe ekipi mjekësor, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e një personi (mashkull)”, tha ai.
Tutje, Pllana bëri të ditur se Policia, në koordinim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.
“Policia në koordinim me prokurorinë ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, ka deklaruar ai për Zeri.info.