Aktakuzë ndaj tre personave për mashtrim me kriptovaluta në Ferizaj dhe Kaçanik
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj tre të pandehurve me inicialet A.L., R.J. dhe V.N., nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit më 17 prill 2026 në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj dyshohet se mashtruan tre persona duke u paraqitur si posedues të kriptovalutës USDT, të cilën pretendonin se do t’ua transferonin përmes “wallet”-it digjital.
Hetimet thonë se të dyshuarit kishin marrë me qira një lokal ku zhvilluan takimin me të dëmtuarit, nga të cilët morën 12 mijë euro. Paratë, sipas aktakuzës, u vendosën në një çantë brenda një dollapi të modifikuar me vrimë në pjesën e pasme, përmes së cilës të akuzuarit i morën pa dijeninë e viktimave dhe më pas u larguan në drejtim të panjohur.
Prokuroria ka bërë të ditur se pas veprimeve hetimore është zbuluar se të njëjtit kishin tentuar të realizonin edhe një transaksion tjetër fiktiv me kriptovaluta në Kaçanik, në rrugën “Ismail Reka”, ku dyshohet se synonin të mashtronin persona të interesuar për një transfer USDT në vlerë prej 50 mijë eurosh.
Ndërkaq, dy nga të pandehurit, A.L. dhe R.J., akuzohen edhe për një rast tjetër mashtrimi të ndodhur më 18 gusht 2024 në Ferizaj. Sipas aktakuzës, ata kishin kontaktuar viktimën përmes aplikacioneve “Telegram”, “Viber” dhe “WhatsApp”, duke pretenduar se posedonin kriptovaluta USDT. Pas takimit në rrugën “Agim Prodani”, ata morën 2 mijë euro dhe u larguan pa kryer transferimin e premtuar.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Zëri