Aksioni i Prokurorisë dhe Policisë në tri qytete, arrestohen gjashtë persona për korrupsion, mashtrim dhe ryshfet
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se gjashtë persona janë arrestuar nën dyshimet për disa vepra penale që lidhen me korrupsionin, mashtrimin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Sipas prokurorisë, aksioni është zhvilluar të enjten në orët e hershme të mëngjesit nga Departamenti për Krime të Rënda – Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në bashkëpunim me Inspektorati Policor i Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtina.
Operacioni është realizuar në lokacione në Prishtinë, Fushë Kosova dhe Obiliqi.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë gjashtë të dyshuar me inicialet F.S., L.R., N.S., A.I., A.Sh. dhe B.B.
Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”, “Mashtrimi”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, “Deklarimi i rremë nën betim”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit” dhe “Shkelja e fshehtësisë së procedurës”.
Në kuadër të aksionit janë sekuestruar dy vetura në vlerë rreth 80 mijë euro, një orë dore e markës Rolex me vlerë rreth 8 mijë deri në 10 mijë euro, pesë telefona celularë dhe dokumente të tjera që do të përdoren si prova materiale në procedurën penale.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masave të sigurisë ndaj të dyshuarve, ndërsa ka theksuar përkushtimin për luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit./Zëri