Ndalohet një person për kanosje ndaj gazetarit në Prishtinë, kërkohet paraburgim
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se është ndaluar një person i dyshuar për kanosje ndaj një gazetari.
Sipas njoftimit, me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë i dyshuari me inicialet H.H., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, sipas nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas dyshimeve fillestare, H.H. dyshohet se ka kanosur gazetarin S.M. për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.
Prokurori i shtetit ka paraqitur aktakuzë pranë gjykatës kompetente, së bashku me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e lirisë së shprehjes. /Zëri