Vrasja e 15-vjeçarit dhe babait të tij, dëshmitari i ngjarjes rrëfen në Gjykatë
Foto: Zëri / Ilustrim

Vrasja e 15-vjeçarit dhe babait të tij, dëshmitari i ngjarjes rrëfen në Gjykatë

Kronika February 07, 2023 - 14:59

Dëshmitari Fisnik Bardhi, në seancën së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka thënë se nuk ka dëgjuar krismën e armës në ditën kritike, ku u vranë babë e bir (B.M. dhe A.M.) dhe se atë se çfarë ndodhi e kuptoi kur arriti pranë shtëpive dhe pa njerëzit që ishin mbledhur.

“Përpos që i kam pas dëgjueset në vesh me muzikë, nuk kam pas asnjë arsye tjetër për me dëgju asgjë”, tha dëshmitari Bardhi.

Këtë deklarim, dëshmitari Bardhi e bëri në rastin ku Xhafer Bardhi bashkë me djalin e tij Amir Bardhin, akuzohen se si rezultat i një mosmarrëveshje pronësore, kanë privuar nga jeta të miturin A.M (15-vjeçar) dhe prindin e tij B.M.

Paraprakisht, dëshmitari Bardhi duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Bashkim Zeqaj, deklaroi se në ditën kritike ka qenë duke shëtitur me të akuzuarin Amir dhe ndërkohë kanë takuar njërin prej vëllezërve Muja. Aty, tha se i akuzuari Amir ka biseduar shkurt me të, por atë bisedë nuk e kishte dëgjuar.

“Kjo bisedë ka vazhdu rreth një minute mes tyre. Mandej, unë me Amirin jena ndalë qaty, deshëm m’u kthy për shtëpi tani Amiri tha se kam punë veç pak, nuk vonohna. Unë nuk e veta se çfarë pune dhe unë vazhdova arave për në shtëpi. I vendosa dëgjueset në vesh dhe vazhdova rrugën arave, trup për në shtëpi”, shtoi Bardhi.

I pyetur nga prokurori Zeqaj se kur është vënë në dijeni se çfarë ka ndodhur në ditën kritike, dëshmitari tha se e kuptoi pasi që është afruar tek shtëpitë e tyre.

“Kur jam afru afër shtëpive, e kam pa krejt mahallën në breg, por nuk e dishin as ata se çka ka ndodhur, kanë thënë se janë rrotullu me traktor”, tha ai.

Ndryshe, në seancën e sotme ishte i pranishëm eksperti mjeko-ligjor Valon Hyseni, i cili tha se qëndron pranë raportit të autopsisë së datës 6 prill 2021, për të ndjerin A.M.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Amir, avokati Agron Hoti, i ka propozuar gjykatës që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit, por këtë propozim trupi gjykues e ka refuzuar.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi, seancën e radhës për këtë çështje e caktoi për 22 shkurt 2022.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shkurt 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi po akuzohen se më 5 prill 2021 në vendin e quajtur “Zabel” në pyllin e fshatit Gradicë, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje të pandehurit Bardhi në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të miturin- tani të ndjerin A.M 15-vjeçar dhe prindin e tij B.M.

Aktakuza thotë se të njëjtit kanë vënë në rrezik dhe jetën e personave tjerë, të dëmtuarave Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, në atë mënyrë që derisa i pandehuri Amir Bardhi ka qenë duke ecur rrugës së malit bashkë me djalin e axhës së tij, dëshmitarin Fisnik Bardhi, aty takohen me të dëmtuarin Valdrin Muja, i cili ka shkuar nga mali, vendi ku ka qenë duke prerë drunj, për ta marrë traktorin dhe për të ngarkuar drunjtë të cilat kanë qenë duke i prerë në mal.

Më pas, aktakuza thotë se Amiri e ka pyetur Valdrinin se “çka jeni duke bërë” dhe se i njëjti i tregon se janë duke prerë drunj në mal dhe më pas i dëmtuari Valdrin vazhdon rrugën në drejtim të vendit ku kanë qenë duke prerë drunjtë, ndërsa Amiri dhe Fisniku po ashtu ndahen.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Amir nëpërmjet telefonit e njofton të pandehurin Xhafer se të dëmtuarit janë duke prerë drunj në mal të cilët bisedojnë për 62 sekonda.

I pandehuri Xhafer i cili ka qenë në shtëpi, thuhet se i merr dy drita për ndriçim të cilat vendosen në kokë, merr armën-pushkën e gjuetisë dhe niset më veturën e tipit “Golf 2” e rrugës bëhen bashkë të dy të pandehurit dhe vazhdojnë në drejtimi të vendit ku të dëmtuarit kanë qenë duke prerë drunj.

Aty, i pandehuri Amir thuhet se ka kontribuar në kryerjen e veprës penale, duke ndriçuar me njërën dritë për të krijuar mundësinë për gjuajte të pandehurit Xhafer, e po ashtu edhe i pandehuri Xhafer ka ndriçuar me njërën dritë dhe menjëherë ky i fundit ka shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit tani të ndjerit A.M i cili në atë moment bërtet “babë më rroki”.

Pastaj, kur i ndjeri B.M dhe i dëmtuari Valdrin shkojnë në drejtim të A.M për t’i dhënë ndihmë, atëherë thuhet se i pandehuri Xhafer prapë shkrep dhe e qëllon tani të ndjerin B.M në kokë, ku më pas i thotë të pandehurit Amir “ikim bir se u bo m**”.

Aktakuza thotë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja të vogla me të cilat i kanë rrezikuar edhe të dëmtuarit Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, të cilët kanë qenë prezent duke prerë dhe bartur drunj, ku këta dy të fundit janë alivanosur pas dy të shtënave.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për të ndjerin A.M në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas konstatohet vdekja e tij, ku vdekja e tij është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme si pasojë e veprimit dinamik të predhave të hedhura nga arma e gjuetisë. Ndërsa, tani i ndjeri B.M pëson lëndime të rënda trupore, ku më 15 prill 2021 ndërron jetë në QKUK edhe ai si pasojë e plagëve vdekjeprurëse.

Me këtë, të pandehurit Bardhi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga Neni 173, paragrafi 1, pika 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, i pandehuri Xhafer në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla ka pasur në posedim armën-pushkën e gjuetisë të cilën e ka punuar vetë. Me këtë, i pandehuri Xhafer Bardhi akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga Neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së, raporton betimiperdrejtesi.