Edhe nga dy muaj paraburgim Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë, i katërti mbrohet në liri

Edhe nga dy muaj paraburgim Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë, i katërti mbrohet në liri

Kronika May 02, 2024 - 11:57

Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

Kjo është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga Zyra për Informim e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N.M, G.P. dhe K.K., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, me datën 23.04.2024 ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve u është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, e cila masë i është llogaritur nga data 28.04.2024 deri më 27.06.2024”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës të dhënë për “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, për të dyshuarin e katër, T.D., Gjykata Supreme ka marrë vendim t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri, pasi ai kishte paraqitur ankesë kundër vendimeve të dy gjykatave më të ulëta, të cilat e linin në paraburgim.

“Pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurit T.D., të paraqitur kundër vendimit të Gjykatës Themelore Prishtinë dhe kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Gjykata Supreme e Kosovës më datë 17.04.2024 ka marrë vendim dhe ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës, ashtu që të pandehurit T.D. i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe i njëjti është lëshuar të mbrohet në liri”, thuhet në përgjigje.

Ndryshe, tre të dyshuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.

Themelorja, në fund të dhjetorit të vitit 2023, ua kishte vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët dyshohen për vrasjen e 30-vjeçares.

Të dyshuarit të katërt në këtë rast, T.D., më 11 dhjetor 2023, i është caktuar masa e paraburgimit. Ai u arrestua më 9 dhjetor, nën dyshimin se ia shiti armën dorasit.

Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Ademajt, janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si i dyshuar se organizoi vrasjen, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, si dhe T.D.