Prokuroria Speciale s’ka informacione për vrasësin e 46 shqiptarëve

Kronika July 30, 2018 - 08:45
Mësoni më shumë detaje

Pas katër vjetësh qëndrimi në arrati autoritetet malazeze ditë më parë kanë prangosur ish-anëtarin e grupit paramilitar "Çakallët” Predrag Vukojeviqin, i quajtur “Magjo”, i cili dyshohet të jetë përfshirë në vrasjen e 46 civilëve shqiptarë në vitin 1999 në fshatin Lubeniq. Edhe pse ai dyshohet për vrasjen e disa civilëve në një fshat të Pejës, emri i tij nuk figuron në databazën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila është kompetente për hetimin e krimeve të luftës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk e ka idenë më të vogël nëse ish-anëtari i grupit paramilitar "Çakallët”,  Predrag Vukojeviqin, i quajtur “Magjo”, i cili dyshohet të jetë përfshirë në vrasjen e 46 civilëve shqiptarë në vitin 1999 në fshatin Lubeniq, është i përfshirë në lëndën për “Krime lufte në Kosovë”. 

Vukojeviqi është arrestuar nga autoritetet malazeze sipas një  urdhërarrestimi ndërkombëtar në INTERPOL, të lëshuar nga Prokuroria për Krime Lufte në Serbi.

LEXO EDHE: Komunat ''injorojnë'' Auditorin

Derisa kjo e fundit ka lëshuar urdhërarrestim ndërkombëtar kundër Vukojeviqit, për Prokurorinë Speciale të Kosovës ky emër është ende i panjohur. Zyrtarë të kësaj Prokurorie bëjnë të ditur se në databazën e PSRK-së nuk gjendet një emër i tillë, shkruan më tutje "Zëri".

 Zyrtari i lartë për komunikim me publikun nga Prokuroria e Shtetit, Bedri Gashi, pohon se lënda për vrasjet e civilëve shqiptarë në fshatin Lubeniq gjendet ende në duart e EULEX-it dhe për të mësuar nëse Predrag Vukojeviqin është pjesë e kësaj lënde Prokuroria do të mësojë posa lënda të transferohet te vendorët.

“Në databazën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) nuk figuron emri i Predrag Vukojeviqit. Përndryshe, lënda lidhur me vrasjet e civilëve shqiptarë në fshatin Lubeniq ende nuk është transferuar nga Prokuroria e EULEX-it te prokurorët vendorë. Në momentin kur do ta kemi lëndën në dispozicion, ne do t’ju informojmë”, është shprehur Gashi.

MD-ja: Nuk kemi asnjë kërkesë për ekstradimin e Predrag Vukojeviqit

Megjithatë, Ministria e Drejtësisë e Kosovës është e gatshme në momentin që të ketë ndonjë kërkesë nga gjykata kompetente për urdhërkërkim ndërkombëtar ndaj Predrag Vukojeviqit të bëjë kërkesën për ekstradimin e tij.

Zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, Saranda Salihu, i  ka thënë gazetës “Zëri” se aktualisht kjo Ministri nuk mund të bëjë kërkesë për ekstradimin e Vukojeviqit, pasi nuk ka ndonjë aktakuzë ose kërkesë nga organet kompetente.

“Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës nuk mund të kërkojë ekstradimin e ndonjë personi kundër të cilit nuk ka të lëshuar urdhërkërkim ndërkombëtar pa kërkesë të Prokurorisë ose të gjykatës, pasi sipas ligjit në fuqi në Republikën e Kosovës deri në paraqitjen e aktakuzës prokurori kompetent i shtetit mund të kërkojë nga Ministria e Drejtësisë ekstradimin e ndonjë personi të kërkuar nga një shtet tjetër. Pas paraqitjes së aktakuzës gjykata kompetente mund të kërkojë nga Ministria ekstradimin nga një shtet tjetër”, ka thënë Salihu.

Ajo ka shtuar se posa MD-ja ta pranojë një kërkesë të tillë menjëherë do ta procedojë tutje për tek autoritetet malazeze.

Blakaj: Çështja e krimeve të luftës të futet në bisedimet Kosovë - Serbi

Mosinformimi i Prokurorisë Speciale nëse i dyshuari për vrasjen e 46 civilëve shqiptarë është duke u hetuar  ose duke u akuzuar nga organet kosovare të drejtësisë është absurd sipas drejtorit ekzekutiv të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH), Bekim Blakaj.

Sipas tij, është e pakuptimtë që në një gjykatë për krime lufte në këtë rast në Serbi të ketë aktakuzë ndaj personit që ka kryer krime në Kosovë, ndërsa pala kosovare, respektivisht Prokuroria, të mos ketë asnjë informacion për këtë person.

“Prokuroria nuk mund të thotë që s’e di nëse ka ose s’ka aktakuzë. Po të kishte aktakuzë, Prokuroria është dashur ta dijë që ka aktakuzë. Pra jam 100 për qind i sigurt se në Kosovë nuk ka aktakuzë ndaj këtij të dyshuari që është arrestuar në Mal të Zi, ndërsa a ka bërë hetime dhe a ka prova kundër tij nuk e di, mirëpo është e pakapshme qysh për krime të tilla Prokuroria nuk ka bërë hetime dhe nuk ka mundur të vijë deri te identiteti i atyre që kanë kryer krime të tilla”, ka thënë Blakaj.

Kjo situatë, sipas tij, tregon se është momenti i fundit që  edhe nëse nuk duan autoritetet serbe pala kosovare ta shtyjë këtë temë qoftë edhe përmes dialogut në Bruksel.  

Ai e sheh si të domosdoshëm një bashkëpunim të tillë mes këtyre dy shteteve.

“Unë mendoj që kjo situatë tregon se sa me rëndësi është vendosja e bashkëpunimit mes prokurorive për krime lufte, mes Kosovës dhe Serbisë, diçka që Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë e ka kërkuar me vite”, është shprehur Blakaj. Madje ai shprehet skeptik nëse autoritetet e Kosovës kanë bërë një kërkesë të tillë ndonjëherë, duke shtuar se FHD-ja ka kërkuar që kjo çështje të futet në dialogun politik në Bruksel, gjë e cila deri më tash nuk ka ndodhur.  

Të mërkurën portali “Ballkan Insight”  ka raportuar se  Predrag Vukojeviq, i quajtur “Magjo”, ish-anëtar i grupit paramilitar "Çakallët", u arrestua në Mal të Zi me dyshimin se në vitin 1999 në fshatin Lubeniq në Kosovë mori pjesë në vrasjen e 46 civilëve shqiptarë.

Sipas këtij mediumi, Vukojeviq u arrestua pas katër vjetësh arrati. Policia malazeze ka konfirmuar identitetin e të arrestuarit për të cilin ishte lëshuar një urdhërarrestim ndërkombëtar në INTERPOL.

Prokuroria Serbe për Krime të Luftës kishte deklaruar se Vukojeviq kërkohet për krime të kryera në Lubeniq më 1 prill të vitit 1999, duke vrarë 46 civilë shqiptarë dhe duke plagosur 11 të tjerë.

Më parë në vitin 2014 Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër tre ish-prestarëve të APJ-së: Vladan Krstoviq, Lazar Pavloviq dhe Milan Ivanoviq, si dhe urdhërarrestin për Predrag Vukojeviq dhe Nenad Lekiq, për të cilin besohet se fshihet në Suedi.

Trupat e 34 prej viktimave nga Lubeniqi u gjetën në një varr masiv në Batajnicë dhe katër viktima janë ende duke u ekzaminuar.