Deri më tani nuk është zbardhur asnjë rast i djegies së veturave në veri

Kronika May 12, 2018 - 09:44
Hetimet e policisë pa rezultate

Komandanti i Stacionit të Policisë në veri të Mitrovicës Gjorgje Karamarkoviq, duke raportuar në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut për punën e Policisë në katër muajt e parë të këtij viti, ka deklaruar se gjendja në pjesën veriore të Mitrovicës është e ndërlikuar, por që momentalisht është e kënaqshme, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Gjendja e sigurisë në veri të Mitrovicës edhe më tutje është e ndërlikuar, por aktualisht është e kënaqshme. Edhe numri i veprave të ndryshme ka rënë në krahasim me katër muajt e parë të vitit 2017, ndërkaq disa nga veprat kriminale, para së gjithash rastet e djegie së veturave nuk janë zbardhur.

LEXO EDHE: Prokuroria “përgënjeshtron” ministrin Rikallo për kryeshefin e suspenduar

Vrasja e liderit të SDP-së Oliver Ivanoviq është rasti më i rëndë që ka ndodhur këtë vit në veri të Mitrovicës dhe për shkak të peshës së rastit dhe mënyrës sesi është kryer vepra në hetimin e rastit janë angazhuar njësitë speciale të Policisë dhe prokurori special për Krim të Organizuar. Me këto fjalë komandanti i Stacionit të Policisë në veri të Mitrovicës, Gjorgje Karamarkoviq, ka përshkruar gjendjen në veri të Mitrovicës duke raportuar për punën e Policisë për katër muajt e parë të këtij viti para asamblistëve të Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, shkruan tutje gazeta "zëri"

Karamarkoviq ka vlerësuar se Policia është duke kryer punën mirë dhe se është e përkushtuar për të krijuar siguri për të gjithë qytetarët, ndonëse gjatë punës has edhe në vështirësi, ndërsa ka potencuar nevojën e bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë në mënyrë që rastet të zbulohen. Djegia e veturave, vjedhja e lokaleve, plaçkitjet dhe grabitjet nën kërcënim të armëve e dëmtimi i pronës janë rastet më të shpeshta që janë regjistruar në katër muajt e parë të këtij viti në veri të Mitrovicës.

“Deri më 30 prill numri i rasteve të regjistruara është 94, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka qenë 128 raste, që do të thotë se ka tendencë të rënies së rasteve. Në numrin e përgjithshëm të rasteve hyjnë edhe krimet e rënda, si dhe rastet e prishjes së rendit dhe të qetësisë, si dhe kundërvajtjet në komunikacion. Me rëndësi është zbardhja e rasteve me kryerës të panjohur dhe në katër muajt e parë të këtij viti përqindja e zbardhjes së këtyre rasteve është 32 për qind, ndërsa në vitin e kaluar janë zbardhur vetëm 22 për qind e rasteve të tilla”, ka precizuar Karamarkoviq.  

Duke u përgjigjur në një pyetje të asamblistit të SDP-së Marko Jakshiq se sa raste të djegies së veturave janë zbuluar deri më tani në veri të Mitrovicës, Karamarkoviq tha se nuk është zbuluar asnjë rast.

“Sa i përket djegies së veturave, ky është problem i gjatë, koha e djegies së veturave është ose natën vonë, ose në orët e hershme të mëngjesit dhe pikërisht për këto shkak kemi përforcuar dhe kemi shtuar numrin e patrullave sidomos gjatë natës dhe unë besoj se kjo do të japë rezultate. Por asnjë rast deri më tani i djegies së veturave nuk është zbuluar. Këto raste janë të vështira për t’u zbardhur. Mënyra e kryerjes së aktit është gjithmonë e njëjtë, mjetet që përdoren për djegien e veturave janë gjithmonë të njëjta, por deri te kryesit ende nuk kemi arritur, ndonëse janë kyçur të gjithë mekanizmat”, ka thënë ai. Vrasjen e liderit të SDP-së Oliver Ivanoviq komandanti i Stacionit të Policisë në veri të Mitrovicës e ka cilësuar si rastin më të rëndë që ka ndodhur në veri të Mitrovicës në vitin 2018.

“Për shkak të peshës së rastit dhe mënyrës sesi është kryer vepra në hetime janë kyçur njësitë e specializuara të Policisë, si dhe prokurori special për Krim të Organizuar. Në përgjithësi gjendja e sigurisë është e ndërlikuar, por momentalisht është e kënaqshme”, ka ripërsëritur Karamarkoviq. Ai ka shtuar se Policia ka intensifikuar procesin e ankesave të qytetarëve për çështje të ndryshme, siç janë puna e lokaleve të natës që prishin rendin dhe qetësinë, ndërsa ka potencuar se me veprimet aktive të zyrtarëve policorë është zvogëluar edhe numri i rasteve të dhunës në familje. /ZERI