33 vjet nga rënia e dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha

Kronika January 11, 2017 - 10:09

Ndërmjet 11 e 12 janarit të vitit 1984 Rexhep Mala e Nuhi Berisha ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë. Me prejardhje nga Komuna e Kamenicës, si student me iniciativën e Rexhep Malës dhe të bashkëveprimtarëve të tjerë formohet Komiteti i Studentëve në kuadër të Grupit Revolucionar, i cili do t’i shërbejë Lëvizjes çlirimtare të shqiptarëve si bërthamë e parë për lëvizën e pranverës studentore të 1981-it. Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha provuan të vihen në themelet e një organizimi të lëvizjes çlirimtare, që vepronte në vazhdimësi, kurse në vitin 1973 filluan veprimtarinë e tyre në botimin e gazetës "Zëri i Kosovës".

Mala e Berisha shquhen ndër figurat më të ndritura të qëndresës dhe sakrificës sonë kombëtare. Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha kishin vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe guximin e duhur për të vepruar kundër regjimit të atëhershëm. Rexhepi e Nuhiu vlerësohen si dy nga figurat qendrore të rezistencës dhe përpjekjeve të popullit shqiptarë të Kosovës për liri e pavarësi, dhe janë çmuar për trimërinë, sakrificën e lartë dhe aftësitë organizative.