Kurti: Buxheti i vitit 2027 do të sjellë investime rekorde në infrastrukturë

Kurti: Buxheti i vitit 2027 do të sjellë investime rekorde në infrastrukturë

Ekonomia October 31, 2026 - 22:52

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se projektligji për buxhetin e vitit 2027 pritet të miratohet të hënën në mbledhjen e radhës të Qeverisë, duke paralajmëruar se për herë të parë buxheti për investime kapitale do ta kalojë vlerën prej një miliard eurosh.

Gjatë fjalimit në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti tha se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë i orientuar drejt projekteve kapitale, përshpejtimit të rritjes ekonomike dhe përmirësimit të cilësisë së vendeve të punës.

“Ky është buxhet i rrugëve, hekurudhave dhe i digave. Për herë të parë buxheti për investime kapitale do të tejkalojë vlerën 1 miliardë euro”, deklaroi Kurti.

Ai bëri të ditur se buxheti për komunat do të jetë gjithsej 908 milionë euro, duke e cilësuar këtë si rritje prej dy të tretash krahasuar me buxhetin që, sipas tij, e kishte trashëguar Qeveria.

Kurti tha se kjo rritje vjen si rezultat i mbështetjes së vazhdueshme përmes granteve qeveritare.

Kreu i Qeverisë foli edhe për fondet që Kosova pritet t’i përfitojë nga Bashkimi Evropian dhe mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.

Sipas tij, për periudhën 2026–2027 Kosova pritet të përfitojë 180.5 milionë euro nga fondet e paraanëtarësimit IPA, ndërsa këtë vit ka siguruar edhe 119 milionë euro grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor.

Nga këto grante, 90 milionë euro janë paraparë për impiantin e ujërave të zeza në Prishtinë dhe 23.8 milionë euro për impiantin në Podujevë.

Kurti përmendi edhe 61.8 milionë euro parafinancim nga Plani i Rritjes, si dhe kërkesën për lirimin e 153 milionë eurove për reformat e zbatuara deri në qershor.

Ai tha se Qeveria po i përshpejton hapat për përmbushjen e afatit të dhjetorit, pas vonesave që, sipas tij, janë shkaktuar nga bllokada politike.

Ndërkaq, Kurti theksoi se miratimi i ligjit për SEPA-n, më 15 tetor, pritet t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve kursime prej rreth 55 milionë eurosh në vit nga transferet bankare.

Ai shtoi se Kosova është duke negociuar edhe për t’iu bashkuar zonës së roaming-ut të Bashkimit Evropian, përmes skemës “Roam Like at Home”, e cila synon uljen e kostove të telefonisë gjatë udhëtimeve në vendet e BE-së.