AUV-i ndalon shitjen e mishit të pulës nga Brazili pas zbulimit të salmonelës
Foto: Laura Hasani

AUV-i ndalon shitjen e mishit të pulës nga Brazili pas zbulimit të salmonelës

Ekonomia October 30, 2026 - 19:57

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar përkohësisht qarkullimin dhe ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të mishit të ngrirë të pulës, të importuar nga Brazili nga kompania Apetit SHPK, pasi në mostrat e analizuara është konstatuar prania e bakterit Salmonella Minnesota.

Sipas njoftimit të AUV-së, produktet e prekura janë të dy markave, Coopavel, me numër LOT SIF 3887 R-14427, dhe Superfrango, me numër LOT SIF 3404 R20598.

Agjencia ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas rezultateve laboratorike dhe në kuadër të kontrolleve të jashtëzakonshme të mishit të importuar, të urdhëruara nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja.

AUV ka paralajmëruar se prania e këtij bakteri në ushqim paraqet rrezik potencial për shëndetin e njeriut.

“Salmonella Minnesota është një serotip patogjen i bakterit Salmonella enterica, prania e të cilit në ushqim paraqet rrezik potencial për shëndetin e njeriut”, thuhet në njoftim.

Sipas Agjencisë, ky bakter mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale dhe të transmetohet përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar ose përmes kontaminimit të kryqëzuar gjatë trajtimit dhe përgatitjes së mishit.

AUV u ka bërë thirrje konsumatorëve që i posedojnë produktet me numrat përkatës të LOT-it të mos i konsumojnë dhe t'i kthejnë në pikat e shitjes.

Ndërkohë, kontrollet e jashtëzakonshme po vazhdojnë për të verifikuar të gjithë sasinë e importuar, gjurmueshmërinë e produkteve, sasitë e shpërndara dhe ato që kanë mbetur në treg, si dhe kushtet e ruajtjes dhe dokumentacionin përkatës.

Agjencia ka bërë të ditur se do të mbikëqyrë zbatimin e masave dhe do të përcaktojë trajtimin përfundimtar të produkteve, përfshirë asgjësimin nëse vlerësohet i nevojshëm.

“AUV do ta informojë publikun për rezultatet e kontrolleve dhe masat e mëtejshme, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve”, thuhet në njoftim.