“SHE RISES REGIONAL 2026”, në fokus fuqizimi ekonomik i grave dhe bashkëpunimi rajonal

“SHE RISES REGIONAL 2026”, në fokus fuqizimi ekonomik i grave dhe bashkëpunimi rajonal

Ekonomia October 30, 2026 - 14:02

Konferenca Rajonale për Gratë Ndërmarrëse dhe Takimet B2B – Edicioni IV, “SHE RISES REGIONAL 2026”, ka mbledhur përfaqësues institucionalë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, me fokus fuqizimin ekonomik të grave, zhvillimin e ndërmarrësisë dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal. Në kuadër të konferencës është zhvilluar dialogu ministror me temën “Ndërmarrësia e grave në kuadër të bashkëpunimit ekonomik rajonal”, ku ministrat e ekonomisë dhe të industrisë kanë prezantuar politikat, programet mbështetëse dhe sfidat me të cilat përballen gratë në bizneset e tyre.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës (MINT), Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar se mbështetja financiare, qasja në tregje, inovacioni dhe edukimi i vazhdueshëm janë ndër shtyllat kryesore për rritjen e pjesëmarrjes së grave në ndërmarrësi.

Ajo ka bërë të ditur se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka ndarë skema të veçanta mbështetëse për bizneset në pronësi të grave, duke veçuar grantet në vlerë prej 200 mijë eurosh.

“Prandaj edhe skemat e përgatitura tashmë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për këtë vit synojnë që t’i adresojnë këto sfida. E para është qasja në financa. E kemi filluar këtë vit me skemat e granteve, ku kemi ndarë në veçanti skemat e mbështetjes për gratë në biznes. Vlera e skemës që kemi ngritur ishte 200 mijë euro për gratë në pronësi të biznesit, e cila tashmë është e mbyllur”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Ajo ka njoftuar gjithashtu për hapjen e një skeme të re të granteve për inovacion, me vlerë prej një milion eurosh, duke theksuar se për herë të parë është paraparë një mbështetje e drejtpërdrejtë për gratë në këtë sektor.

“Jam e lumtur të them se kemi një skemë të re për grante për inovacion, një sektor i cili ka shënuar rritje të vazhdueshme në Republikën e Kosovës. Deri më 30 nëntor është e hapur skema për aplikim për grante në vlerë prej një milion eurosh. Është hera e parë që në këtë numër dhe në këtë vlerë kemi lansuar mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë”, është shprehur ajo.

Sipas ministres, përparësi përfituese kanë edhe bizneset që kanë gra në pronësi ose bashkëpronësi në skemat e tjera të ministrisë, përfshirë mbështetjen për makineri, certifikimin e produkteve dhe sektorin e teknologjisë informative dhe të komunikimit (ICT).

“Ende kemi një numër apo përqindje të ulët. Vetëm 15 për qind e totalit të bizneseve të regjistruara në Kosovë janë biznese në pronësi të grave. Andaj, kjo përqindje duhet të ndryshojë jo vetëm përmes incentivizimit, por edhe përmes edukimit të vazhdueshëm, dijes dhe rolit të ndërmarrësisë në fuqizimin ekonomik të vendit”, ka theksuar ministrja.

Duke paraqitur rezultatet e mbështetjes institucionale, ajo ka bërë të ditur se gjatë viteve 2024 dhe 2025 janë përkrahur gjithsej 103 ndërmarrësi të udhëhequra nga gratë, prej të cilave 70 në vitin 2024 dhe 33 në vitin 2025.

“Gjatë vitit 2024 dhe 2025 kemi pasur 103 ndërmarrësi të udhëhequra nga gratë, të cilave u është ofruar mbështetje në vlerë të makinerive, dixhitalizimit, certifikimit të produkteve, inovacionit, startup-eve dhe sektorit të ICT-së, e gjithashtu edhe në industrinë e rafinuar. Për këtë mbështetje financiare, ne e kemi edhe mekanizmin e mbështetjes së prezantimit dhe pjesëmarrjes në panairet ndërkombëtare”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Ajo ka bërë të ditur se janë mbështetur 22 biznese në panairin e grave në biznes, ndërsa dhjetë biznese të tjera të grave nga Kosova kanë marrë përkrahje për pjesëmarrje në një panair të organizuar në Zvicër, ku Kosova ka një prani të konsiderueshme të diasporës.

“Ministria që drejtoj, së bashku me Agjencinë e Re për Inovacion dhe Ndërmarrësi, tashmë në strukturën e saj e ka edhe divizionin për gratë në biznes. Ky divizion ushtron përmbushjen e të gjitha informatave që kanë të bëjnë prej regjistrimit të biznesit e deri te transferimi i tij. Kjo synon që përmes mbledhjes së të dhënave dhe inteligjencës së të dhënave të mund të përcillen lëvizjet në ndërmarrësi në baza tremujore, gjashtëmujore dhe vjetore, për bizneset e vogla, startup-et dhe bizneset e mëdha”, ka thënë ajo.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, ka prezantuar përvojën e Shqipërisë në financimin e startup-eve, duke theksuar se politikat që favorizojnë gratë dhe vajzat në skemat e granteve kanë ndikuar në rritjen e përfaqësimit të tyre në këtë sektor.

“Në Shqipëri ne kemi katër vite që japim fonde për financimin e startup-eve, me qëllim nxitjen e ekosistemit të startup-eve. Jam shumë krenare të them që kjo lloj politike që ne kemi ndërmarrë, pra duke dhënë pikë më shumë për gratë dhe vajzat, ka bërë që 42 për qind e fondeve të startup-eve në vitin e kaluar t’u dedikohen grave dhe vajzave dhe të jenë ndërmarrje të cilat drejtohen nga gratë dhe vajzat”, ka deklaruar Ibrahimaj.

Ajo ka pranuar se kjo përqindje mund të mos e pasqyrojë plotësisht realitetin e pronësisë dhe drejtimit të bizneseve, duke përmendur mundësinë që disa ndërmarrje të jenë regjistruar me administratore ose pronare gra për të përfituar pikë shtesë në skemat mbështetëse.

“A është 100 për qind reale kjo shifër? Unë jam e bindur që nuk është 100 për qind reale. Jam e bindur që brenda kësaj shifre ka edhe biznese të cilat janë regjistruar me administratore vajza apo me pronare vajza ose gra, vetëm me qëllim që të marrin ato pikët më shumë. Por edhe kjo, në fund të fundit, nuk është e keqe, sepse nga momenti që ligjërisht një grua është pronare apo administratore, do të thotë që ajo do të vazhdojë të jetë e angazhuar në atë biznes. Pra, edhe nëse ka të tilla raste, është gjithsesi shumë pozitive”, ka theksuar ministrja shqiptare.

Ibrahimaj ka nënvizuar se rritja e përfitimit të granteve nga gratë është rezultat i politikave të ndërmarra gjatë viteve të fundit, duke bërë të ditur se përqindja e fondeve të dedikuara për to është rritur nga rreth 28-30 për qind në mbi 40 për qind.

“Ne dimë nga një kulturë në të cilën gratë kanë qenë pjesëmarrëse në tregun e punës. Po të shihni statistikat, Shqipëria është në vendin e parë me përqindjen më të lartë të grave dhe vajzave që janë pjesëmarrëse në tregun e punës dhe janë të punësuara. Ne e kishim 62 për qind, sepse vijmë nga një kulturë ku gratë shkonin në punë dhe punonin njëlloj si burrat. Kjo pa diskutim që na ka shoqëruar”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ministrja ka theksuar se përfaqësimi i grave në pozitat e administrimit dhe pronësisë së bizneseve ka mbetur pothuajse i pandryshuar ndër vite.

“Por, ndërsa të punësuara kemi shumë gra dhe kemi një përqindje të lartë, gra administratore jemi në nivelin 31 deri në 31.5 për qind, në varësi të viteve, pronare apo administratore. Pra, jemi në një nivel të përafërt me mesataren e Bashkimit Evropian, por prej shumë vitesh që unë e ndjek këtë tregues, me shumë kuriozitet, ky nivel nuk është rritur. Pavarësisht politikave, pavarësisht asaj që sapo thashë për pjesën e startup-eve, kjo do të thotë se ose nuk kemi bërë mjaftueshëm për të nxitur pjesëmarrjen e tyre në biznes dhe sipërmarrje, ose duhet të bëjmë më shumë në këtë drejtim”, ka deklaruar Ibrahimaj.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi, ka vlerësuar se fuqizimi ekonomik i grave duhet të shihet jo vetëm si çështje e mundësive të barabarta, por edhe si faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, konkurrueshmërinë dhe shfrytëzimin e potencialit njerëzor.

Ai ka theksuar se Ministria e Ekonomisë dhe Punës zbaton masa konkrete për mbështetjen financiare të ndërmarrësve, modernizimin teknologjik, rritjen e produktivitetit, krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e eksporteve.

“Për ne fuqizimi ekonomik i grave nuk është vetëm çështje e mundësive të barabarta që duhet t’i kenë, por edhe çështje e zhvillimit ekonomik, e konkurrueshmërisë ekonomike vendore dhe e shfrytëzimit më të mirë të potencialit njerëzor. Duhet të arrijmë t’i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet dhe të gjitha burimet të cilat i kemi”, ka deklaruar Durmishi.

Duke prezantuar programet për vitin 2026, ai ka bërë të ditur se përmes programit për zhvillimin e ndërmarrësisë dhe konkurrueshmërisë janë siguruar rreth dy milionë denarë, apo afërsisht 100 mijë euro, për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe të zejtarëve.

Sipas tij, përmes kësaj mase shteti bashkëfinancon deri në 40 për qind të investimit, me një kufi maksimal prej 200 mijë denarësh, apo rreth 3.500 eurosh për secilin investim.

“Në vitin 2026, përmes programit për zhvillimin e sipërmarrjes dhe konkurrueshmërisë, kemi siguruar afër dy milionë denarë apo 100 mijë euro për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, po ashtu edhe të zejtarëve. Përmes kësaj mase e kemi bashkëfinancuar deri në 40 për qind të investimit të cilin ata e kanë bërë, por jo më shumë se 200 mijë denarë apo 3.500 euro për çdo investim, qoftë për të rritur kapacitetet prodhuese të kompanive”, ka thënë Durmishi.

Ai ka njoftuar gjithashtu për ndarjen e dy milionë denarëve të tjerë për zbatimin e standardeve ndërkombëtare dhe certifikimin e produkteve, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së kompanive dhe lehtësimin e qasjes së tyre në tregjet ndërkombëtare.

“Gjithashtu kemi siguruar dy milionë denarë për zbatimin e standardeve ndërkombëtare dhe certifikimin e tyre në industri, në mënyrë që kompanitë të jenë më konkurruese dhe sa më lehtë të inkuadrohen në tregun ndërkombëtar. Përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës kemi ofruar bashkëfinancim prej rreth 70 për qind, në mënyrë që kompanitë që aplikojnë për certifikimin e caktuar në industrinë prodhuese, për t’i shitur produktet e tyre në tregjet ndërkombëtare, të kenë mbështetjen e nevojshme. Nga këto instrumente të cilat i kemi krijuar për vitin 2026 përfitojnë edhe kompanitë që janë në pronësi apo drejtohen nga gratë”, ka deklaruar ai.

Durmishi ka folur edhe për bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare të punës, përmes të cilit realizohet çdo vit një plan operativ për nxitjen e punësimit dhe ndërmarrësisë, me fokus të veçantë te të rinjtë dhe të rejat.

Ai ka bërë të ditur se vlera e këtij plani për vitin 2026 është rreth 2.4 milionë denarë, apo 40 mijë euro, ndërsa mbështetja financiare për krijimin e bizneseve të reja arrin deri në 7 mijë euro për personat mbi moshën 29-vjeçare dhe deri në 10 mijë euro për të rinjtë dhe të rejat.

“Paralelisht me këtë, në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare të punës, në vendin tonë kemi një plan operativ të cilin e realizojmë çdo vit. Edhe këtë vit, vlera e atij plani është rreth 2.4 milionë denarë apo 40 mijë euro, ku fokusi është te të rinjtë dhe të rejat, që të nisin startup-e ose të krijojnë kompanitë e tyre. Vlera e kësaj përkrahjeje, nëse janë mbi moshën 29-vjeçare, është deri në 7 mijë euro, ndërsa për të rinjtë dhe të rejat deri në 10 mijë euro, për çfarëdo ideje biznesi që kanë dhe dëshirojnë ta vënë në funksion”, ka theksuar Durmishi.

Sipas tij, skema synon të mbështesë edhe personat që tashmë kanë një aktivitet ekonomik, por që operojnë në ekonominë joformale, duke i nxitur përmes mbështetjes financiare që t’i formalizojnë bizneset e tyre.

“Edhe nëse funksionojnë apo kanë ndonjë biznes të tyre, por e kanë në ekonominë informale dhe nuk e kanë të formalizuar, me këtë në vend që të shkojmë me kontrolle, shkojmë me përkrahje. I stimulojmë edhe t’i formalizojnë bizneset e tyre”, ka thënë ministri.

Durmishi ka veçuar një sfidë të identifikuar gjatë zbatimit të planit operativ, përkatësisht pjesëmarrjen e ulët të grave në aplikimet për përfitimin e mbështetjes financiare.

“Një detaj që dua këtu ta përmend është se gjatë realizimit të planit operativ, pasi e realizonim dhe i bënim analizat, në fund përsëri na dilte që gratë nuk ishin të përfshira, apo numri i aplikimeve të tyre ishte shumë i vogël në krahasim me aplikimet e djemve”, ka deklaruar Durmishi. /eo