Rusinovci: Kosova duhet të krijojë fond për kompensimin e fermerëve të dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore
Profesori universitar dhe eksperti i bujqësisë, Imer Rusinovci, ka kërkuar krijimin e një fondi të veçantë për kompensimin e fermerëve që pësojnë dëme nga fatkeqësitë natyrore, pas dëmeve të shkaktuara nga breshëri gjatë ditës së djeshme në disa zona të Kosovës.
Rusinovci në një intervistë për Ekonominë Online tha se breshëri i ditëve të fundit ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në regjionin e Istogut dhe në disa fshatra të Skenderajt, ndërsa dëme më të vogla janë evidentuar edhe në komunat e Lipjanit dhe Ferizajt.
Ai tha se fillimisht duhet të bëhet vlerësimi profesional i dëmeve nga komisionet në nivel lokal, në koordinim me nivelin rajonal dhe qendror, në mënyrë që fermerët e prekur të mundë të kompensohen.
“Po realisht në bujqësi ndodhin edhe të tilla fatkeqësi natyrore që i quajmë ne, siç është breshëri që ishte konkretisht dje në regjionin e komunës së Istogut me shumë fshatra përreth, në regjionin e Skenderajt, me disa fshatra po ashtu me dëme të konsiderueshme. U evidentuan disa dëme të vogla në raport me Istogun janë më të vogla në komunën e Lipjanit dhe të Ferizajt. Por këto dëme normal që janë të konsiderueshme dhe fjalën përfundimtare mund ta thonë komisionet profesionale që ngrihen në nivel lokal, në koordinim të plotë me nivelin rajonal dhe nivelin qendror. Përderisa nuk ka një raport të vlerësimit, sepse nuk bëhet fjalë për hulumtim të mirëfilltë aty, por për një vlerësim se sa është shkalla e dëmeve që mund të jetë, do të thotë, e përshkallëzuar 20, 30, 50, 80, 90% e kështu me radhë, varësisht prej intensitetit të breshrit që ka rënë, atëherë raporti i tillë duhet të përcillet, domethënë, i koordinuar deri në nivel qendror, që të paktën presim një kompensim për fermerët që janë atakuar nga këto fatkeqësi natyrore, konkretisht nga breshëri”, tha ai.
Eksperti i bujqësisë paralajmëroi se ndryshimet klimatike po sjellin çrregullime në balancën mes reshjeve dhe temperaturave, duke e bërë bujqësinë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj kushteve ekstreme atmosferike.
“Shihni, kohëve të fundit kemi shumë çrregullime në kuptimin e balancës së reshjeve dhe temperaturave, si pasojë e çrregullimeve klimatike. Ky është një nivel botëror sot. Hulumtim të madh e bëjnë edhe ekipet profesionale të G8-shit, sepse ne, në raport me dy ditë, domethënë, ndodhemi në vapën e korrikut dhe kemi një oscilim temperaturor prej 10 gradësh, që s’është shumë normale në kuptimin klimatik dhe në kuptimin e afatgjatësisë, kur kemi parasysh reshjet ose temperaturat mesatare vjetore për periudha të caktuara kohore”, tha ai.
Rusinovci tha se Kosovës i mungon një fond i veçantë për përballimin dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, duke përmendur krahas breshrit edhe thatësirat, zjarret, tërmetet dhe përmbytjet.
“Sidoqoftë, mendoj që Kosovës i mungon edhe sot e kësaj dite, legalisht, një fond i veçantë për fatkeqësi të tilla elementare, që s’është i vetmi breshëri; mund të jetë thatësia e madhe, ariditeti, mund të jenë zjarret, tërmetet, përmbytjet e mëdha e kështu me radhë, dhe fermerët, përkatësisht ngastrat që atakohen nga këto dëme, nga këto fatkeqësi natyrore, do të duhej të kompensoheshin në një formë, për një masë të shkallës së dëmit aq sa janë paraqitur”, tha ai.
Ai kërkoi që institucionet përgjegjëse të autorizojnë komunat për të dalë në terren dhe të evidentojnë dëmet në secilën parcelë të prekur. /eo
“Si hap fillestar, mendoj që dikasteri përkatës duhet t’i autorizojë nivelet komunale të bëjnë vizita në terren, të kryejnë procesverbale për secilën ngastër të dëmtuar dhe të saktësohet gjendja faktike, konkrete, korrekte në terren, në mënyrë që pastaj të pasojnë hapat e mëtejmë për mundësinë e kompensimit për fermerët, të cilët janë atakuar”, tha ai.
Ndërkaq, Rusinovci ka ngritur edhe çështjen e mbrojtjes nga breshëri përmes sistemeve kundër breshërit, duke thënë se nevojitet koordinim institucional edhe me faktorin ndërkombëtar.
“Janë fatkeqësi elementare. Nuk e kam kuptuar një punë. Kam pasur një kontakt me një gjeneral të KFOR-it, të cilit i jam drejtuar me një kërkesë, dhe më ka dhënë një përgjigje. Ka thënë: “Nuk e di”, por pas disa ditëve i njëjti më ka thirrur dhe më ka qitë një kafe dhe më tha: “Sot e kësaj dite ne nuk e kemi një kërkesë zyrtare, institucionale, që ta luftojmë sistemin e breshërit, domethënë, me atë sistemin antiraketor, për faktin se konsiderohet, dhe është ashtu, kontrollin ajror sot në Kosovë e kontrollon KFOR-i.” Por të paktën mendoj që kjo punë do të duhej të rregullohej në të ardhmen, në një koordinim me faktorin ndërkombëtar”, tha ai.