Në raftet e dyqaneve, importi mund produktin kosovar
Foto: Laura Hasani

Në raftet e dyqaneve, importi mund produktin kosovar

Ekonomia July 19, 2026 - 13:11

Pse një litër qumësht, një shishe vaj apo një produkt tjetër i prodhuar në Kosovë kushton shpesh më shumë se një produkt i ngjashëm i importuar?

Është një pyetje që, pashmangshëm, shtrohet nga konsumatorët përballë rafteve të dyqaneve, ku, në shumë raste, produktet vendore nuk arrijnë të konkurrojnë me çmimet e mallrave që vijnë nga jashtë.

Për prodhuesit, arsyeja nuk lidhet me cilësinë e produkteve, por me koston e prodhimit.

Ata thonë se energjia, transporti, paketimi, fuqia punëtore dhe lëndët e para e bëjnë prodhimin në Kosovë më të shtrenjtë, ndërsa produktet e importuara shpesh vijnë me avantazhin e subvencioneve shtetërore në vendet ku prodhohen.

Në industrinë e qumështit, për shembull, vetëm grumbullimi dhe transporti i qumështit deri në fabrikë kushtojnë rreth 60 centë për litër, thotë Alajdin Fusha, pronar i qumështores Abi në Prizren.Më pas vijnë përpunimi, paketimi, energjia dhe shpenzimet e tjera.

“Në fund, një litër qumësht në qese duhet të shitet rreth 80 deri në 85 centë vetëm për t’i mbuluar kostot”, thotë Fusha.

Ai tregon se produktet e tij - varësisht llojit - janë nga 10 deri në 20 centë më të shtrenjta se ato të importuara.

Por, fenomeni nuk kufizohet vetëm te qumështi.Në disa dyqane në Kosovë, edhe produkte të tjera vendore shiten me çmime të njëjta ose më të larta se ato të importuara.

Në një rast, një litër vaj i importuar kushtonte 1.72 euro, ndërsa një litër vaj i prodhuar në Kosovë 1.89 euro.

Përballë kësaj situate, disa konsumatorë thonë se origjina e produktit ka kaluar në plan të dytë.

Ajo që vendos gjithnjë e më shpesh se çfarë përfundon në shportë, është kostoja.Hana thotë se do të donte të blinte më shumë produkte vendore, por buxheti nuk ia lejon gjithmonë.

“Qumështin dhe kosin zakonisht i marr vendore, por nëse janë më të shtrenjta, nuk mundem. E blej atë që është më lirë, edhe nëse është i importuar. Më vjen keq”, thotë ajo.

Edhe Gentiana Shatri thotë se gjatë blerjeve i kushton rëndësi vendit të origjinës së produktit, por vetëm pasi ta ketë parë çmimin.

“E shoh edhe nga vjen produkti, por normalisht e shoh edhe çmimin”, thotë ajo.

Çfarë bën shteti?

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) thotë se konkurrueshmëria e prodhuesve vendorë ndikohet nga një sërë faktorësh, përfshirë nivelin e teknologjisë, produktivitetin, kostot e energjisë, qasjen në financa, certifikimin sipas standardeve ndërkombëtare dhe varësinë nga importi i lëndës së parë.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ministria thotë se është duke analizuar pengesat kryesore me të cilat përballen bizneset, me synim hartimin e masave që do të rrisin konkurrueshmërinë e tyre.Sipas saj, një nga format kryesore të mbështetjes janë grantet për blerjen e makinerive moderne, digjitalizimin, teknologjitë e reja dhe përmirësimin e proceseve të prodhimit.

“Vlera e granteve për makineri është rritur nga 425 mijë euro në vitin 2021 në 6.8 milionë euro në vitin 2025, ndërsa për vitin 2026 janë paraparë pesë milionë euro”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, shifrat e tregtisë së jashtme tregojnë se ekonomia e Kosovës vazhdon të mbështetet kryesisht tek importi.

Vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti, Kosova importoi mallra me vlerë mbi 3.5 miliardë euro, ndërsa eksportet arritën në rreth 521 milionë euro.

Edhe një vit më parë, diferenca ishte e thellë: importet tejkaluan shtatë miliardë euro, ndërsa eksportet e produkteve kosovare ishin rreth 950 milionë euro.

Për Alajdin Fushën, pronar i qumështores Abi, kjo tregon se prodhuesit vendorë kanë nevojë për më shumë mbështetje.

“Shteti duhet të subvencionojë përpunimin e çdo litri qumësht. Vetëm kështu mund të bëhemi më konkurrues ndaj produkteve të importuara”, përfundon ai./Radio Evropa e Lire