Programi “Gratë në Energji” hap edhe 40 pozita për punë praktike me pagesë në tërë Kosovën

Programi “Gratë në Energji” hap edhe 40 pozita për punë praktike me pagesë në tërë Kosovën

Ekonomia January 26, 2022 - 17:07

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) ka lansuar edhe një thirrje për pozita për punë praktike me pagesë në sektorin e energjisë.

Në njoftim thuhet se 40 pozita të hapura në tërë Kosovën, presin vajzat dhe gratë të cilat edhe pse pa përvojë të mëhershme profesionale, të nisin karrierën e tyre në këtë sektor, duke aplikuar përmes programit “Gratë në Energji”.

Ky program, sipas njoftimit, thuhet se përfshin mundësi për punë praktike për gra kosovare që janë: Studente aktuale të nivelit MA/MSc, Studente në vitin e tyre të fundit të studimeve në nivelin BA dhe/ose të diplomuara të papunësuara të cilat kanë diplomuar gjatë tri viteve të fundit.

“Ministria e Ekonomisë, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, UNDP dhe MFK ndër të tjera, i janë bashkuar kësaj vale të re të mundësive për punë praktike përmes Programit Gratë në Energji. Këto pozita janë të hapura në mbi 20 komuna të Kosovës si: Prishtinë, Gjakovë, Mitrovicë, Skenderaj, Drenas, Prizren, Mamushë, Klinë, Istog, Pejë, Rahovec, Malishevë, Ferizaj, Deçan, Shtime, Viti, Gjilan, Novobërdë, Kamenicë, Podujevë, Vushtrri, Han të Elezit, Ranillug dhe Kaçanik”, theksohet më tej në komunikatë.

Për të gjitha pozitat e hapura, vizitoni uebfaqen Women in Energy Internship Program Website dhe të mësoni më shumë edhe për kualifikimet e kërkuara.

Që nga fillimi i Programit ‘Gratë në Energji”, afro 100 vajza tanimë janë bërë pjesë e sektorit të energjisë, përmes Programit të Punës Praktike. Madje, disa nga praktikantet kanë arritur të zgjasin kontratat e tyre dhe të vazhdojnë angazhimin e tyre si punonjëse të rregullta në kompanitë përkatëse. Në ndërkohë, edhe dhjetëra vajza të tjera do të jenë përftuese nga ky Program i MFK-së deri në fund të 2022, i cili ka për qëllim të krijojë një urë lidhëse në mes të punëdhënësve dhe grave të cilat edhe pse pa përvojë profesionale, kanë vullnetin dhe dëshirën ta japin kontributin e tyre në këtë sektor.

Përmes programit ‘Gratë në Energji’ MFK përpiqet të ngritë vetëdijesimin e grave mbi mundësitë që sektori i energjisë ofron, si dhe njëkohësisht të përgatisë ato për tregun e punës, duke iu ofruar bursa studimore, punë praktike dhe trajnime. Të gjitha këto, do të rezultojnë me rritjen e numrit të grave të përgatitura profesionalisht për punë të ndërlidhura me energji, si dhe me zvogëlimin e hendekut gjinor në këtë sektor në Kosovë.

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) është fondacion i pavarur i themeluar në vitin 2017 për të implementuar Marrëveshjen e Pragut midis Qeverisë së Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation-MCC), me vlerë 49 milionë dollarë. Programi i Pragut i Kosovës adreson dy pengesa kryesore për rritjen ekonomike të Kosovës: furnizimin jo të qëndrueshëm me energji elektrike; dhe dobësitë reale dhe të përceptuara në sundimin e ligjit, përgjegjshmërinë e qeverisë dhe transparencën. /Zëri