Berjani: Çmimet e derivateve te ne më të lirat në rajon, nëse ju duken të shtrenjta përdorni trafikun urban

Berjani: Çmimet e derivateve te ne më të lirat në rajon, nëse ju duken të shtrenjta përdorni trafikun urban

Ekonomia April 19, 2024 - 14:28
Gazetare: Igballe Potera

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë sot se tensionet në Lindjen e Mesme aktualisht nuk kanë ndikuar në rritjen e çmimit të derivateve në Kosovës, edhe pse në botë është paralajmëruar rritja e çmimit.

Sa u përket tensioneve në Lindjen e Mesme mes Iranit dhe Izraelit, çmimi i derivateve në berzë dhe tregun kosovar nuk ka lëvizje. Deri më sot këto çmime të cilat janë në tregun kosovar janë në koordinim me berëzën ndërkombëtare”, ka thënë Berjani për Zeri.info.

Ai tha se nuk mund të parashikojë nëse çmimet do të rriten në ditët në vazhdim, pasi po ka lëvizje në tregjet ndërkombëtare dhe nga organizata prodhuese OPEC.

Berjani për “Zërin” tha se çmimet e derivateve në Kosovë janë më të lirat në rajon, duke përjashtuar Maqedoninë e Veriut.

Sipas tij, çmimet e derivateve për dizel shkojnë nga 1.37 euro deri 1.43 euro për litër, kurse çmimi për benzinë nga 1.38 deri 1.44 euro për litër.

Ai shtoi se çmimet nuk janë të larta, ndërsa shtoi se çmimi real do duhej të ishte 1 euro për litër, duke theksuar gjendjen ekonomike, por shtoi se edhe për ata që çmimi aktual ju duket i lartë, mund të zgjedhin trafikun urban, transmeton Zeri.info.

“Qytetarët të mos ankohen, se janë duke u shërbyer me çmime ma të lira në regjion, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila e ka akcizën për 22 centë më lirë”.

“Lus qytetarët në qoftë se janë derivatet me çmim të lartë, përdorni trafikun urban.

Ju lutem shiheni dhe bonu korrektë”, i tha “Zërit” Berjani, duke shtuar se ankesat për çmime të larta janë të pa baza. /Zëri