Kosova përfiton 90 milionë euro nga Banka Botërore
Kosova ka përfituar 90 milionë euro nga Banka Botërore, pasi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe zëvendëspresidentja për Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore, Antonella Bassani, kanë nënshkruar Marrëveshjen për Financimin e Politikave Zhvillimore për Politikën Fiskale, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër ndërmjet Kosovës dhe Bankës Botërore.
“Ky financim kap vlerën prej 90 milionë eurove dhe mundësohet pasi Kosova i ka përfunduar veprimet që kanë qenë të dakorduara me Bankën Botërore, siç janë forcimi i stabilitetit fiskal dhe makroekonomik, rritja e efikasitetit të shpenzimeve publike, krijimi i një ambienti të favorshëm për investime dhe fillimi i tranzicionit drejt një ekonomie të gjelbër”, thuhet në njoftim nga Ministria e Financave.
Tutje thuhet se vendimi i Bankës Botërore për të mbështetur Republikën e Kosovës vërteton përkushtimin e Qeverisë për të mbështetur politikat zhvillimore, si dhe për të vazhduar zbatimin e projekteve me interes për qytetarët e Kosovës. /Zëri