Kurti e Murati vizitojnë ATK-në: Institucion vital për ekonominë

Kurti e Murati vizitojnë ATK-në: Institucion vital për ekonominë

Ekonomia October 28, 2021 - 14:34

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë vizituar Administratën Tatimore të Kosovës, me ç’rast u priten nga drejtori Ilir Murtezaj.

Kryeministri Kurti e quajti institucion vital për ekonomi ATK-në, teksa i shprehu përkrahje institucionale.

Me këtë rast Kurti u shpreh i kënaqur me të hyrat e ATK-së për këtë vit, ku krahasuar me vitin paraprak dhe atë 2019, këtë vit të hyrat janë shtuar për 20 për qind.

“Jam i lumtur të dëgjoj që janë rritur për 1/3 të hyrat për këtë vit, pa ndryshuar politikat fiskale. Zakonisht kur ndryshojnë qeveritë, i ndryshojnë edhe politikat fiskale dhe për të hyrat tatimore dhe ne në këtë vit ta kemi këtë sukses është me të vërtetë e jashtëzakonshme. Dikush duhet të shikojë në historitë ekonomike të vendeve që të gjejë shembull të ngjashëm, ku të hyrat për vitin paraprak shtohen. Nëse nuk krahasohemi me vitin 2020, atëherë e krahasojmë me atë të vitit 2019, ku të hyrat këtë vit, që ende jemi vit pandemik, janë shumë më të larta të hyrat se atë vit”, tha Kurti.

Ndërkaq, Murati tha se këto të hyra kontribuojnë në shtimin e vendeve të punës.

“Këto mjete, neve si qeveri na mundëson që t’i ridestinojmë tek qytetarët dhe bizneset. Sot kishim një takim me bizneset ku i njoftuar për mbështetje prodhuesit vendor. Mbështetja nga të hyrat shtesë,nënkupton më shuma vende pune, më shumë të hyra tjera tatimore”, tha Murati.

E drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, tha se i gjithë rezultati është arritur me reforma e llogaridhënie.

Murtezaj tha se si rezultat i matjes se kualitetit të kontrolleve i kanë shpëtuar buxhetit të shtetit mbi 10 milionë euro.

“Para se te vazhdoj me informimin e shkurtër lidhur me te arriturat, reformat dhe sfidat e ATK-së, ju kaloj fjalën juve i nderuar kryeministër, andaj fjala është për juve. Të hyrat Janar-shtator/2021 janë inkasuar 447.01 mil euro, 110.8 mil euro me tepër se viti 2020 (33 %), 75 mil me tepër se viti 2019 (20.1 %), ndërsa ne krahasim me planin kemi rrethe 45 mil euro me tepër se plani i rishikuar (11.2 %). Ndërsa deri sot kemi mbledhur mbi gjysmë miliard euro”.

“Llogaridhënia – për të mbërritur te këto rezultate sigurisht qe përveç rritjes ekonomike një ndikim të madh ka pasë rritja e efikasitetit në mbledhjen e borxheve prej me tepër se 60 % në raport me vitin 2020 dhe ma tepër se 102 % në raport me vitin 2018, si dhe ngritja e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së stafit, ku si informate te shkurtër po jap që gjatë vitit 2020 dhe 2021 vetëm si rezultat i matjes se kualitetit te kontrolleve dhe kryerjes se rikontrolleve i kemi shpëtuar buxhetit te shtetit mbi 10 mil euro. Ndërsa, si rezultat i identifikimit të këtyre dëmeve buxhetore qe janë bërë nga ana e zyrtarëve tatimorë janë iniciuar procedura penale ne organet ligj zbatuese”.

“Reformat – Konsolidimi i funksionit të mbledhjes së borxheve, konsolidimi i funksionit të rimbursimeve, strategjia për përmirësimin e kontrollit, aplikimi i metodologjive moderne te Menaxhimit te Rrezikut te përmbushjes, pastaj është shënuar progres ne implementimin e reformës në sistemin e ri te IT-së”. /EO