Kosova, pjesë e Indeksit Global të Konkurrueshmërisë

Kosova, pjesë e Indeksit Global të Konkurrueshmërisë

Ekonomia April 09, 2021 - 11:58

Oda e Afarizmit e Kosovës (OAK) në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) kanë arritur një sukses të përbashkët, duke inkuadruar Kosovën në raportin kredibil botëror të Forumit Ekonomik Botëror, “Indeksi Global i Konkurrueshmërisë”, në të cilën pasqyrohet gjendja reale e ambientit të të bërit biznes.

Si partner institucional i Forumit Ekonomik Botëror OEMVP, inicioi procedurën e përfshirjes së Republikës së Kosovës në këtë raport të Indeksit Global të Konkurrueshmërisë.

Në një njoftim për media bëhet e ditur se Oda e Afarizmit e Kosovës, si partner strategjik i OEMVP-së, do të realizojë për Kosovën anketën me drejtorët ekzekutivë të kompanive, si pjesë përbërëse e raportit.

“Bashkëpunimi i ndërsjellë mes OAK-ut dhe OEMVP-së, në rastin konkret, dëshmoi që me profesionalizëm dhe angazhim maksimal mund të arrihet një sukses i madh si ky. Përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të komunitetit afarist shfaqet si një nga aspektet kyçe të sistemit ekoafarist, ndërsa krijimi i ambientit të të bërit biznes si parakusht i zhvillimit ekonomik të vendit. Raporti në fjalë paraqet një udhërrëfyes për definimin e politikave ekonomike zhvillimore për të dy shtetet tona. Në këtë mënyrë odat që ne përfaqësojmë japin një kontribut të jashtëzakonshëm për sjelljen e këtij raporti, që mund të paraqet bazat e definimit të politikave makro-ekonomike dhe legjislacionit të nevojshëm për bizneset”, thuhet në njoftim.

Forumi Ekonomik Botëror, i cili përgatit raportin e Indeksit Global të Konkurrueshmërisë, siguron të dhëna relevante dhe bën vlerësimin e konkurrueshmërisë, produktivitetit, si dhe prosperitetit të shteteve. Ai është i ndarë në 12 shtylla dhe deri më sot ka numëruar 141 shtete pjesëmarrëse. /Zëri