Gastronomet thërrasin protestë: Shteti tregoi që nuk i intereson mirëqenia e asnjë punëtori

Gastronomet thërrasin protestë: Shteti tregoi që nuk i intereson mirëqenia e asnjë punëtori

Ekonomia September 18, 2020 - 19:04

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, kanë bërë thirrje për protestë, pasi siç kanë thënë ata, Qeveria nuk i ka përmbushur kërkesat e tyre.

Sipas një njoftimi, Gastronomët kanë vlerësuar se shteti nuk është kujdesur për punëtorët e kësaj kategorie, ndërsa janë ankuar se nuk janë marrë parasysh kërkesat e tyre për zgjatjen e orarit përtej orës 22:30 dhe lejimi i punës brenda objekteve duke respektuar masat.

Për këtë ata kanë bërë thirrje tek të gjithë gastronomët që me datën 25.09.2020 nga ora 14:00-15:00 të mbyllin bizneset e tyre dhe të bashkangjiten në ora 14:00 para Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës, ku në shenjë proteste do t’u dorëzohen kuponët fiskal./Zëri

Njoftimi i plotë: 

Shoqata e Gastronomeve të Kosovës

SHGK: Shteti tregoi që nuk i intereson mirëqenia e asnjë punëtori në Kosovë, ne kërkuam vetëm mbijetesë

Edhe një herë u cenua e drejta e biznesit në Kosovë.
Edhe një herë shteti tregoi që nuk i intereson mirëqenia e asnjë punëtori në Kosovë.

Papunësia vetëm në pandemi shënoi rritje prej 30%, e mos të flasim për gjendjen normale që gjithnjë ka qenë katastrofale. E mos të flasim as për humbjet enorme të bizneseve.

Nuk kërkuam asgjë më tepër se sa MBIJETESË.

Vazhdimisht kërkuam që ky orar të rritet, gjithnjë duke i respektuar të gjitha masat.

Kërkuam edhe një njoftim se si të punojmë brenda lokaleve tona pasi që jemi në prag të vjeshtës.

Thirrjet tona për kryeministrin, qeverinë e parlamentin po duket të jenë të kota.

Jemi shteti i vetëm në botë që skemi as plan, e as mbështetje për krizën e thellë, kemi vetëm retorikë boshe …

Herën e fundit kur Shoqata paralajmëroi dhe mbajti protestë, Policia e Kosoves me urdhër të Kryeministrit, na lejuan vetëm 7 minuta aktivitet, ne e mirëkuptuam Policinë, nuk donim arrestime e as përkeqësim të situatës, e as situata të palakmushme në mes Policisë dhe Gastronomeve. Respektuam çdo urdhër e vendim që na u dha.

Këtë radhë nuk do të kemi mirëkuptim, sepse mirëkuptim për ne nuk pat as edhe një moment. Ne duam të jemi përgjegjës ndaj punonjësve tanë, familjeve tyre dhe familjeve tona.

Fatkeqësisht më të lehtë dhe më të përballueshme e kemi të kalojmë kohë në qeli sesa të shohim shkatërrimin e asaj që ndërtuam me shumë mund. Ne nuk na ka mbetur asnjë alternativë tjetër, po na e cënoni ekzistencën, më keq se kaq nuk ka.

I bëjmë thirrje të gjithë gastronomëve të Republikes së Kosovës që me datën 25.09.2020 nga ora 14:00-15:00 të mbyllin bizneset e tyre dhe të na bashkangjiten në ora 14:00 para Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës që të dorëzojmë kuponat fiskal!

Atë që virusi po ua shkakton njerëzve, ju po ia shkaktoni Gastronomisë së Kosovës.