Rexhepi: Zbatimi i vendimit për kreditë varet nga bankat komerciale

Rexhepi: Zbatimi i vendimit për kreditë varet nga bankat komerciale

Ekonomia April 08, 2020 - 11:04
Image

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Hashim Rexhepi, në një intervistë për “Zërin” ka pohuar se vendimet e këtij institucioni për prolongimin e kthimit të kredive nga kredimarrësit është marrë në përputhje me ligjin.

Sipas tij, nga BQK-ja me kohë janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjore. Mirëpo zbatimi i këtyre masave, sipas Rexhepit, është në duart e bankave komerciale individualisht. Megjithatë, ish-guvernatori i BQK-së ka vlerësuar që edhe pse shumë individë dhe biznese që janë goditur nga kjo situatë nuk kanë aplikuar qoftë edhe nga arsyeja e mosinformimit ose mosmundësisë së lëvizjes, bankat komerciale kanë bazë të të dhënave për klientët e tyre e që sipas tij mund të gjejnë mënyrë të përshtatshme për zbatimin e këtij vendimi.

Lidhur me humbjet që ka pësuar së fundmi Fondi Pensional i Kosovës Rexhepi ka thënë që ky nuk është vetëm problem i Kosovës, por një problem global, i cili sipas tij pritet të vazhdojë deri në largimin e kësaj pandemie.

Ndërsa Pakoja Emergjente Fiskale me të gjitha objektivat e përfshira në të, sipas tij, paraqet mundësitë reale që ka buxheti i Kosovës në këtë fazë. Sipas Rexhepit, prioriteti numër një sa i përket kësaj Pakoje është të sigurojë shpenzime të drejtpërdrejta, që lidhen me shëndetin, me mbrojtjen e mirëqenies së njerëzve dhe të familjeve të goditura, të kujdesemi për të sëmurët dhe të ngadalësojmë përhapjen e virusit.

Zëri: A është sqaruar mjaftueshëm procedura rreth prolongimit të kthimit të kredive nga kredimarrësit dhe pse ngurrojnë kaq shumë bankat komerciale për kthimin e tyre?

Rexhepi: Si rezultat i ndërmarrjes së masave për parandalimin e pandemisë COVID-19 dhe shpalljes së emergjencës shëndetësore nga Qeveria e Kosovës, duke i kuptuar vështirësitë me të cilat po ballafaqohen një pjesë e bizneseve dhe e punonjësve, BQK-ja së bashku me institucionet kredidhënëse kanë vendosur për lejimin e një periudhe mospagimi për pagesat e kësteve të kredisë, duke filluar nga data 16 mars 2020 deri më 30 prill 2020 dhe në varësi të zhvillimeve të situatës kjo periudhë mund të zgjatet. Kjo ka për qëllim lehtësimin e barrës financiare për të gjithë huamarrësit, që po hasin në vështirësi të realizimit të të hyrave si pasojë e krizës pandemike. Pezullimi i përkohshëm i pagesave të kësteve të kredisë do të rishikohet rast pas rasti nga bankat, me qëllim që këto përfitime të shkojnë vetëm tek ata të cilët janë prekur nga kriza aktuale. Në rast të miratimit të një kërkese të tillë nga banka interesat ndëshkuese të lidhura me kreditë nuk do të aplikohen në këtë periudhë. Gjatë kësaj periudhe asnjë masë e përkeqësimit të vlerësimit të kredisë nuk do të zbatohet për huamarrësit. BQK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjore për të parandaluar klasifikimin e kredive, të mos kërkojë provizione shtesë dhe të mos klasifikohen si kredi joperformuese në Regjistrin e Kredive. Shihet se zbatimi i këtij vendimi varet nga bankat komerciale individualisht. Bankat kanë lejuar një afat deri më 31 mars që bizneset dhe individët të aplikojnë në bankë me kërkesë për shtyrje të pagesës. Nuk kam ndonjë informacion se sa kredimarrës kanë aplikuar dhe sa prej tyre u është aprovuar kërkesa. Besoj se shumë individë dhe biznese që janë goditur nga kjo situatë nuk kanë aplikuar qoftë nga arsyeja e mosinformimit ose mosmundësisë së lëvizjes. Konsideroj se bankat komerciale kanë bazë të fuqishme të të dhënave për klientët e tyre dhe duhet të gjejnë mënyrë të përshtatshme për zbatimin e këtij vendimi. Kjo është edhe në interes të bankave komerciale.

Zëri: A mund ta përballojë Trusti këtë lëkundje të madhe financiare dhe kush do të pësojë më shumë në rast se Trusti vazhdon me humbje të mëdha?

Rexhepi: Të gjithë e kuptojmë se situata me përhapjen e koronavirusit është shumë serioze dhe mund të përkeqësohet. Pjesa më e madhe e botës është prekur drejtpërdrejt, kjo nuk është më vetëm një çështje kombëtare ose rajonale - është problem global që kërkon përgjigje globale. Gjithashtu e dimë që përfundimisht koronavirusi do të tërhiqet, por nuk e dimë se sa shpejt do të ndodhë kjo. Prandaj është vështirë të parashikohet se sa të mëdha do të jenë lëkundjet financiare dhe se sa rënie do të kenë mjetet e Trustit. Sigurisht se më të goditur do të jenë personat që aktualisht hyjnë në moshën e pensionimit, sepse për ta humbjet do të jenë reale. Kurse grup-moshat me të reja do të goditen më pak ose fare për shkak se rikuperimi i kthimeve do të ndodhë pas daljes së ekonomisë nga kjo krizë.

Zëri: A është bërë në mënyrë të duhur shpërndarja e mjeteve për bizneset dhe për qytetarët nga Pakoja Emergjente Fiskale?

Rexhepi: Pakoja quhet emergjente sepse u dedikohet në mënyrë emergjente atyre që në këtë fazë janë goditur më së shumti nga kjo situatë. Pakoja reflekton mundësitë reale që ka buxheti i Kosovës në këtë fazë. Besoi se varësisht nga zhvillimi i situatës me COVID-19 do të pësojnë edhe masat tjera proporcionale me situatën. Prioriteti numër një sa i përket përgjigjes fiskale është të sigurojë shpenzime të drejtpërdrejta, që lidhen me shëndetin, me mbrojtjen e mirëqenies së njerëzve dhe familjeve të goditura, të kujdesemi për të sëmurët dhe të ngadalësojmë përhapjen e virusit. Së dyti, kërkohen veprime të politikës makrofinanciare për të adresuar tronditjet e ofertës dhe të kërkesës. Qëllim duhet të jetë veprimet "pa keqardhje" dhe që kanë ndikim ekonomik. Masat duhet të jenë me kohë dhe të synuara për sektorë, për biznese dhe për familje që goditen më së shumti. Në këtë situatë të gjithë duhet të sakrifikojmë diçka nga shprehitë tona, të heqim dorë nga gjërat me të cilat jemi mësuar dhe të rritim solidaritetin shoqëror. Askush dhe asnjë familje në Kosovë në këtë situatë nuk duhet të vuajë për gjëra elementare për jetesë, dora e shtetit duhet të shtrihet te të gjithë ata.

Zëri: Në rast se kjo gjendje me virusin COVID-19 vazhdon edhe për një kohë më të gjatë, a ka rrezik që Kosova të futet në krizë të madhe financiare?

Rexhepi: Aktualisht sistemi bankar është mirë i kapitalizuar dhe ka likuiditet të lartë (mbi 35%), që garanton se në këtë periudhë mund të përballet me sukses me situatën e krijuar. Kriza e fundit financiare burimin e kishte në rreziqet sistemike të bankave, kriza aktuale e ka origjinën tërësisht jashtë sistemit bankar, ashtu që ofron mundësinë që bankat të dëshmojnë rolin e tyre si stabilizues sistemik, duke ofruar shërbime të paktën pjesërisht për të mirën shoqërore. Bankat duhet të luajnë rol kritik si stabilizues sistemik për klientët e tyre, punonjësit e tyre dhe për ekonomitë në përgjithësi. Shërbimet e parave, të depozitave, të kredisë, lehtësimi i pagesave dhe bërja e tregut janë të gjitha shërbimet thelbësore për bankat dhe për ekonominë Rekomandimet fillestare për veprimet që bankat duhet të ndërmarrin tani janë përtej atyre që sugjerojnë planet e zakonshme të vazhdimësisë së biznesit ose listat e kontrollit të reagimit ndaj krizave. Në përgjigjen e tyre të menjëhershme besoj se bankat duhet të planifikojnë për një periudhë akute prej disa muajsh, rrethana jo më të kufizuara sesa zakonisht adresojnë planet e vazhdimësisë së biznesit. Në të njëjtën kohë bankat mund të fillojnë të testojnë aftësitë dhe financat e tyre, duke hedhur bazat për të identifikuar implikimet strategjike afatgjate dhe për të siguruar një urë të qetë ndërmjet së tashmes dhe së ardhmes.

Zëri: Çfarë duhet të bëhet në mënyrë që të parandalohet sado pak thellimi i krizës në ekonomi?

Rexhepi: Varet nga zhvillimet e pandemisë. Besoj akoma në solidaritetin global dhe përgjigjen globale që kjo situatë të tejkalohet me sa më pak recesion ekonomik. Vërehet një reagim i drejtë dhe me kohë i FMN-së, i Bankës Botërore, i BERZH-it, i organizatave të OKB-së, të cilat vendeve anëtare e posaçërisht vendeve më të varfra dhe në zhvillim u kanë ofruar mundësi dhe mbështetje. Vërejmë që edhe vendet e zhvilluara, si SHBA-ja, Gjermania, Anglia, Bashkimi Evropian, po ofrojnë ndihma për përballje me COVID-19. Edhe Kosova është përfituese, gjë që do ta ndihmojë Qeverinë që më me sukses të përballet me pandeminë dhe me efektet e saj në ekonomi. Sigurisht se edhe Qeveria dhe asociacionet e biznesit punojnë për të gjetur zgjidhje për shpëtimin ekonomik. Konsideroj se nevojitet rishikim i buxhetit të Kosovës ashtu që të ndryshohen prioritetet buxhetore. Nuk mund të flitet tani për buxhet zhvillimor, por për buxhet të mbijetesës dhe të shpëtimit ekonomik. Qeveria duhet me guximshëm të rritë borxhin publik, i cili tërësisht duhet të orientohet në përkrahje të ekonomisë.

Zëri: Sa mund të ndikojë gjendja me virusin COVID-19 në humbje dhe në uljen e të ardhurave të bizneseve?

Rexhepi: Sigurisht që do të ndikojë, veçanërisht te bizneset që kanë ndërprerë tashmë aktivitetin. /ZËRI

Lexo edhe Nga 1 prilli në Kosovë kanë hyrë 1.7 milion euro mallra serbe dhe boshnjake
Ekonomia April 07, 2020