Nga 1 prilli në Kosovë kanë hyrë 1.7 milion euro mallra serbe dhe boshnjake
FOTO: Laura Hasani

Nga 1 prilli në Kosovë kanë hyrë 1.7 milion euro mallra serbe dhe boshnjake

Ekonomia April 07, 2020 - 15:02
Image

Hiç më pak se 1.7 milion euro mallra serbe e boshnjake kanë hyrë në Kosovë nga 1 prilli i këtij viti. Qëkur është hequr taksa 100% për këto dy shtete nga qeveria në detyrë “Kurti” në pikën kufitare në Merdarë kanë hyrë me qindra mauna me mallra si të lëndës së parë, ashtu edhe të atyre komerciale. Megjithëkëtë njëjtë nuk ka ndodhur me mallrat nga Kosova në drejtim të këtyre vendeve. Nga fillimi i këtij muaji Kosova ka eksportuar mallra në vlerë 131 mijë euro drejt Serbisë, teksa drejt Bosnjë e Hercegovinës në vlerë 106 mijë euro. Edhe më tutje vazhdon të ketë një disproporcion të madh në mes të eksportit dhe importit të Kosovës me këto vende, shkruan "Zëri"

Në ndërkohë zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka bërë të ditur për “Zërin” se që nga 1 prilli deri më 5 prill nga Serbia në Kosovë kanë hyrë 263 mauna, teksa nga Bosnjë dhe Hercegovina vetëm 15.

"Deri tani kemi 1.6 milion import nga Serbia, si dhe rreth 100.000 mije euro nga Bosnjë dhe Hercegovina (263 dërgesa nga Serbia dhe 15 nga BH), derisa produkte ushqimore, industria kimike dhe industria e ndërtimit janë produktet më të importuara. Të gjitha dërgesat deri tani i janë referuar Kosovës në bazë të vendimit të Qeverisë, si dhe emërimit ndërkombëtar të Kosovës në aspektin tregtar", ka thënë Stavileci për “Zërin”.

1.6 milion euro import nga Serbia, mbi 112 mijë nga Bosnjë e Hercegovina

Pas heqjes së taksës më 1 prill të këtij viti Serbia filloi të eksportojë mallra për në Kosovë në masë të madhe. Vetëm për 5 ditët e para të këtij muaji nga Serbia janë importuar mallra në vlerë mbi 1.6 milion euro. Nga të dhënat që ka siguruar “Zëri”, vlera neto e këtyre mallrave arrin në mbi 6.2 milionë kilogramë.

“Importi nga Serbia në neto kap vlerën 6.255.746.16 kilogramë, ndërsa vlera e tyre është 1.627.481.96”, bëhet e ditur në këto statistika.

Ndërsa për sa i përket importit të mallrave nga Bosnja dhe Hercegovina, vlera e tyre kap shifrën në mbi 112 mijë euro, teksa vlera neto arrin në afër 279 mijë kilogramë. “Importi nga Bosnja dhe Hercegovina arrin vlerën neto 278.919.41 kilogramë, teksa vlera e tyre është 112.043.97 mijë euro”, bëhet e ditur më tutje aty.

Në total nga këto dy shtete nga 1 prilli në Kosovë kanë hyrë mallra në vlerë mbi 1.7 milion euro.

“Totali i importit nga këto dy shtete kap shifrën neto 6.534.665.57 kilogramë, teksa vlera e tyre është 1.739.525.93”, theksohet aty.

Eksporti drejt Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, thuajse i barabartë

Pavarësisht që importi nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina është i lartë, në anën tjetër eksporti i Kosovës drejt këtyre dy vendeve është mjaftë i ulët. Nga 1 prilli Kosova drejt Serbisë ka eksportuar mallra në vlerë mbi 131 mijë euro, teksa drejt Bosnjës mallra me vlerë mbi 106 mijë euro.

“Eksporti drejt Bosnjë e Hercegovinës kap vlerën neto 63 mijë e 647 kilogramë në vlerë 106 mijë e 849, teksa eksporti drejt Serbisë kap vlerën neto 289 mijë kilogramë me vlerë 131 mijë e 864 euro”, bëhet e ditur në statistikat që ka siguruar “Zëri”.

Më shumë import për mallra të lëndës së parë

Për sa i përket ndarjes së mallrave që janë importuar nga të dyja shtetet. Nga statistikat që ka siguruar “Zëri”, ka një diferencë për sa i përket importimit të mallrave për lëndë të parë dhe të atyre komerciale.

“Nga Serbia mallra si lëndë e parë janë importuar në vlerë afër 847 mijë euro. Pesha neto e tyre është mbi 4 milionë kilogramë. Ndërsa mallra komerciale nga Serbia janë importuar afër 2. 2 milionë kilogramë, me vlerë mbi 781 mijë euro”, bëhet e ditur në statistika.

Në anën tjetër, nga Bosnjë dhe Hercegovina mallra të lëndës së parë janë importuar në vlerë mbi 10 mijë euro, teksa ato komerciale në vlerë mbi 100 mijë euro.

“Nga Bosnja dhe Hercegovina mallra të lëndës së parë janë importuar afër 24 mijë kilogramë, me vlerë 10 mijë e 473 euro, teksa ato komerciale 255 mijë e 219 kilogramë, me vlerë 10 mijë 570 euro”, theksohet në statistika./ZËRI

Lexo edhe Trusti e merr teposhtën, shkak koronavirusi
Ekonomia April 06, 2020