Dhjetori me paga të rritura, 20 sindikata dalin kundër
Foto: Laura Hasani

Dhjetori me paga të rritura, 20 sindikata dalin kundër

Ekonomia November 29, 2019 - 08:21
Detajet
Image

20 sindikata e grupe ankuesish kanë dërguar ankesa tek institucioni i Avokatit të Popullit lidhur me Ligjin e Ri për Pagat në Sektorin Publik. Pavarësisht kësaj, pagat me rritje pritet të dalin gjatë muajit dhjetor, teksa Avokati i Popullit ka të drejtë ta dërgojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese deri në gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të tij, shkruan sot gazeta "Zëri".

Më një dhjetor të këtij viti pritet të hyjë në fuqi Ligji i Ri për Pagat në Sektorin Publik. Me hyrjen në fuqi të ligjit pritet të jepen edhe pagat me rritje po gjatë muajit dhjetor. Por kundër këtij ligji deri më tani kanë dalë 20 sindikata e grupe ankuesish, të cilat kanë shprehur pakënaqësi lidhur me nivelizimin e pagave që është bërë përmes këtij ligji. Në ndërkohë një grup i sindikatave javën e kaluar ka paralajmëruar protesta e greva në rast se pagat nuk dalin me rritje gjatë muajit dhjetor, siç parashihet me ligjin e ri.

Ministria e Financave: Pagat me rritje dalin gjatë muajit dhjetor

Ministria e Financave në një përgjigje dhënë për gazetën “Zëri” ka konfirmuar që çdo gjë është gati që të fillojë zbatimi i marrjes së pagave me rritje gjatë muajit dhjetor. Muharrem Shahini, zëdhënës i kësaj Ministrie, ka pohuar se masa e pagave është e buxhetuar dhe e mjaftueshme për mbulimin e kësaj kostoje financiare. “Zbatimi fillon në muajin dhjetor dhe të gjithë të punësuarit në sektorin publik pagat do t’i marrin në dhjetor të këtij viti sipas ligjit të ri. Mjetet financiare në buxhet janë, masa e pagave është e buxhetuar, si dhe është më se e mjaftueshme për mbulimin e kësaj kostoje financiare”, ka konfirmuar ai për “Zërin”.

Avokati i Popullit: 20 sindikata dhe grupe ankuesish janë të pakënaqura me ligjin

20 sindikata dhe grupe ankuesish kanë dërguar ankesat e tyre tek institucioni i Avokatit të Popullit lidhur me Ligjin për Paga në Sektorin Publik. Në një përgjigje për “Zërin” zyrtarë nga kjo Ministri kanë konfirmuar se ata janë duke konsideruar që ky ligj po ndikon negativisht në interesat të tyre. “Avokati i Popullit deri më tani ka pranuar mbi njëzet (20) ankesa lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, jo vetëm nga sindikatat, por edhe nga grupe ankuesish të ndryshëm, të cilët konsiderojnë se Ligji për Pagat në Sektorin Publik ndikon negativisht në interesat e tyre”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit dhënë për “Zërin”.

Duke folur mbi natyrën e ankesave Avokati i Popullit sqaron se ato janë të ndryshme dhe varen nga pozita ose nga institucionet që i kanë paraqitur këto ankesa. “Ankesat e paraqitura tek Avokati i Popullit janë të ndryshme, varësisht nga pozita dhe nga institucionet që kanë paraqitur ankesë, përmes të cilave shfaqen pakënaqësinë lidhur me përcaktimet dhe me përfshirjen e tyre në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik”, thuhet tutje në përgjigje.

Avokati i Popullit mund ta dërgojë ligjin në Kushtetuese

Ky institucion sipas Ligjit Nr. 06/L-111 ka të drejtë ta dërgojë Ligjin për Paga në Sektorin Publik në Gjykatën Kushtetuese pas hyrjes së tij në fuqi. “Ligji Nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor 2019. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Avokati i Popullit mund të ngrejë çështjen e përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën brenda afatit prej gjashtë (6) muajve pas hyrjes në fuqi të ligjit. Afati ligjor për ngritjen e çështjes në fjalë fillon të rrjedhë nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat”, thuhet tutje në përgjigje.

Ankesat e vazhdueshme nga sindikatat dhe nga grupe ankuesish mund të ndikojnë që ky ligj të dërgohet për shqyrtim në këtë gjykatë.

Kërcënimet e sindikatave me greva e me protesta

SBASHK-u, Federata e Shëndetësisë e Kosovës (FSSHK), si dhe Sindikata e Policisë e Kosovës (SPK) kanë paralajmëruar greva dhe protesta në rast se pagat nuk do të dalin me rritje gjatë muajit dhjetor, ashtu siç është paraparë me Ligjin e Ri për Pagat. Ditë më parë përmes një reagimi ato kanë paralajmëruar pasoja të mëdha në rast se në dhjetor nuk i marrin me rritje pagat, ashtu siç parashihet me Ligjin e Ri për Paga. Sipas SBASHK-ut, nëse ky ligj i ri nuk hyn në fuqi për 60 mijë të punësuar në sektorin publik do të ketë pasoja ekonomike. Këtij reagimi i janë bashkangjitur edhe Federata e Shëndetësisë e Kosovës (FSSHK), si dhe Sindikata e Policisë e Kosovës (SPK). “Pas takimit të zhvilluar me Avokatin e Popullit, z. Hilmi Jasharin, njoftojmë opinionin e gjerë të Republikës së Kosovës se kryetarët e të tria sindikatave, SBASHK-u, FSSHK-ja dhe SPK-ja, kanë zhvilluar takim me Avokatin e Popullit. Ky takim është realizuar me qëllim të qartësimit të situatës në lidhje me Ligjin e Pagave. Duke mos dashur të ndikojmë në punën e Avokatit të Popullit, atij ia kemi bërë me dije se nëse pagat e muajit dhjetor nuk dalin me ligj të ri, atëherë pasojat janë të paparashikueshme, gjë të cilën nuk e dëshirojmë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga këto sindikata.

Kush do t’i marrë pagat me rritje?

Sipas afateve të parapara në ligj, nga muaji dhjetor i këtij viti punëtorët e sektorit publik pritet të marrin pagat me rritje. “Vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji do të jetë dyqind e tridhjetë e nëntë (239) euro. Për vitet e tjera buxhetore vlera monetare e koeficientit përcaktohet me Ligjin Vjetor të Buxhetit”, thuhet në Nenin 23 të Ligjit, i cili përcakton vlerën e koeficientit dhe fondet për shtesa.

Në bazë të ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10, derisa kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen sipas koeficientit 9. Sipas koeficientit, presidenti i Republikës do ta ketë pagën 2,390 euro nga 2,672 euro që është paguar deri më tani, ndërsa kryetari i Kuvendit do të ketë pagën 2,151 ose 404 euro më pak se paga aktuale. Të njëjtën pagë prej 2,151 euro do ta ketë edhe kryeministri e kryetari i Gjykatës Kushtetuese nga 2,950 euro përkatësisht 3,108 euro që janë paguar aktualisht. Për sa i përket pagës së zëvendëskryeministrit, ai do të paguhet 2,031 euro nga 2,500 euro sa është paguar deri më tani. Po ashtu paga e një ministri sipas Ligjit për Pagat do të jetë 1,912 euro që do të jetë një zbritje page prej 88 eurosh. Pagë të njëjtë do të marrë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, kryetari i kryeqytetit, kryetari i Gjykatës Supreme, kryeprokurori i Shtetit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kryetari i Akademisë së Shkencave, avokati i Popullit dhe auditori i përgjithshëm i Kosovës. Ligji thotë se shefi i Kuvendit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryeprokurori dhe kryetari i Gjykatës Supreme do të paguhen edhe pesë vjet pasi të largohen nga pozitat e tyre. Ata do të marrin 70 për qind të pagës së fundit në institucionin ku kanë vepruar dhe veç kësaj ata do të përfitojnë edhe një asistent, vozitës e veturë zyrtare, të cilën do ta përdorin.

Pagë pas përfundimit të mandatit nga buxheti i shtetit do të marrin edhe deputetët. “Deputeti pas përfundimit të mandatit të rregullt ose para kohe, i cili nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit, ka të drejtën e kompensimit kalimtar prej një vit në vlerë 70 për qind të pagës së fundit që e kanë marrë”, thuhet në Ligjin për Paga.

Ministrat dhe kryetarët e komunës do të marrin 70 për qind të pagës edhe pas përfundimit të mandatit.

Zhurma më e madhe në lidhje me përfitimet pas largimit nga detyra ishte bërë për zëvendësministrat dhe ata do të paguhen gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit dhe të gjitha këto përfitime nuk do të bëhen në disa raste, që janë të specifikuara në ligj. //ZERI