Për një vit vetëm gjashtë milionë euro import nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina

Për një vit vetëm gjashtë milionë euro import nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina

Ekonomia November 21, 2019 - 17:54
Lexoni detajet!

Janë bërë 12 muaj prejse Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për vënien e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. Tash kur ka kaluar një vit nga ky vendim, zyrtarët e dy subjekteve më të mëdha të dala nga zgjedhjet, LVV-së dhe LDK-së, po paralajmërojnë vendosjen e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë në momentin që vijnë në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta "Zëri".

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ka bërë të ditur se produktet që janë importuar nga Serbia e nga Bosnjë e Hercegovina përgjatë një viti, prejse është vendosur taksa deri tash, kapin vlerën prej 6 milionë eurosh.

Me këtë rast, Berisha ka njoftuar se për kohën e njëjtë të vitit të paraprak importi nga këto dy shtete ka kapur shifrën prej 520 milionë eurosh.

“Krejt importi që kemi pasur gjatë kësaj periudhe është rreth 6 milionë euro nga këto dy vende. Ndërkaq, para vendosjes së taksës kemi pasur 520 milionë euro nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina”, ka deklaruar ai për "Zërin". 

Rrjedhimisht Berisha ka thënë se këtë vit ka pasur 99 për qind më pak vlerë të importit nga dy shtetet, të cilave u është vendosur taksa 100 për qind nga Kosova.

“Ne kemi pasur rreth 450 milionë euro vlerë të importit të produkteve nga Serbia dhe 85 milionë nga Bosnjë e Hercegovina. Tashmë po bëhet një vit nga vendosja e masës mbrojtëse ndaj këtyre vendeve dhe gjatë kësaj periudhe njëvjeçare ne kemi pasur rreth 99 për qind vlerë të importit më pak nga këto dy vende”, ka potencuar ai. /ZERI