Fermerët kërkojnë sigurimin e kulturave bujqësore

Fermerët kërkojnë sigurimin e kulturave bujqësore

Ekonomia korrik 17, 2019 - 08:00
Lexoni detajet
Image

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili të hënën ka takuar komunitetin e biznesit në Vushtrri, ka siguruar se Qeveria e Kosovës do t’i trajtojë me kujdes të gjitha kërkesat e fermerëve, duke përfshirë edhe ato të ndërtimtarëve dhe të prodhuesve vushtrrias. Zona Ekonomike në Lumëmadh, projekti më i madh në përkrahje të ndërmarrësve, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

Komuniteti i biznesit në Vushtrri, respektivisht fermerët vushtrrias kanë dalë me kërkesa të qarta për Qeverinë e Kosovë, gjatë një takimi që ata kanë pasur me kryeministrin e vendit Ramush Haradinajn, i cili ka premtuar se të gjitha kërkesat e tyre do të trajtohen me kujdesin më të madh.

LEXO EDHE: S’ka viza, s’ka as lobim në BE

Mbështetje të sektorit të bujqësisë në sigurimin e kulturave bujqësore, si dhe heqjen e akcizës për naftën e cila përdorët në bujqësi, kanë qenë dy kërkesat kryesore të fermerëve vushtrrias, që ia kanë bërë kryeministrit Haradinaj, në takimin që kishte me sipërmarrës dhe me fermerë vushtrrias, të hënën.

Fermerët dhe sipërmarrësit e Vushtrrisë kanë shprehur nevojën që të mbrohen prodhimet e tyre nga fatkeqësitë elementare, me kërkesën që të gjitha dëmet që pësojnë kulturat bujqësore nga përmbytjen, breshëri e dëme të tjera t’u kompensohen.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se me kryeministrin e vendit kanë pasur një takim shumë të frytshëm me fermerë dhe me sipërmarrës të Vushtrrisë, të cilët kanë siguruar se prodhimi është rritur dukshëm.

“Fermerë dhe sipërmarrës kanë bërë disa kërkesa, por kryesorja është se ata kanë konstatuar se prodhimi është rritur. Ata kanë thënë se është e domosdoshme që të bëhet sigurimi i kulturave bujqësore, pas dëmeve në bujqësi dhe se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt. Gjithashtu fermerët kanë kërkuar që të hiqet akuza e derivateve të naftës për bujqësinë, për traktorë dhe për makineri bujqësore. Ne besojmë se këto kërkesa të tyre janë të nevojshme dhe të drejta”, tha kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Është rritur prodhimi dhe kërkesat

Ai shtoi se ka pasur kërkesa edhe nga ndërtimtarët, si dhe nga biznese të tjera, të cilat siç tha ai: “Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka premtuar se do t’i trajtojë me kujdes”.

E ndërkaq Bedri Kosumi, drejtor i kompanisë “Vipa Çips Pestova”, e cila merret me kultivimin e patates dhe me përpunimin e saj, tha se prodhimi dhe kërkesat janë rritur 100 për qind duke i krahasuar me vitin e kaluar. Ai ka thënë se më në fund është më së e domosdoshme sigurimi i prodhimeve bujqësore, pasi që sipërfaqe të mëdha goditen nga fatkeqësitë natyrore, përmbytjet, breshëri e të ngjashme.

Ai gjithashtu ripërsëriti kërkesën për heqjen e akcizës për naftën që përdoret në bujqësi, për të lehtësuar punët në bujqësi. Duke folur për punën dhe për sfidat me të cilat përballet kompania “Viça Çips Pestova”, Kosumi tha se tashmë kanë arritur që të merret i gjithë tregu i Kosovës, në të cilin më përpara mbizotëronin prodhimet nga Serbia.

Bedri Kosumi, me emrin e të cilit lidhen të gjitha sukseset e “Vipa Çips Pestova”, që ka arritur ta bëjë eksportuesin më të madh kosovar në Evropë dhe në rajon, madje edhe në Irak, thotë se prodhimi në “Vipa Çips” është rritur 100 për qind, por edhe kërkesat gjithashtu janë rritur 100 për qind.

“Tashmë e kemi marrë gjithë tregun kosovar, të cilin para taksës e mbante Serbia me prodhimet e saj. Serbia bënë konkurrencë të papritshme, nuk është që ajo na rrezikon neve, sepse ne kemi konkurrencë edhe me prodhimet e Turqisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Greqisë e të vendeve tjera. Taksa jo vetëm që ka ndikuar në rritjen e prodhimit, por ka ndikuar edhe në eksport dhe në punësimin në vend”, ka thënë ai.

Tahiri: Përkrahja do të vazhdojë

Ndërkaq kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri tha se ai bashkë me Qeverinë e Kosovës do të vazhdojë t’i rrisë investimet dhe përkrahjen jo vetëm për fermerët, por për të gjitha bizneset. Tahiri ka thënë se biznesi në komunën e Vushtrrisë ka shënuar rritje të prodhimit dhe të punësimit.

“Projekti i Zonës Ekonomike në Lumëmadh, projekti për mbulimin e normës së interesit për kredi për agrobiznese, si dhe grantet për ‘start up’ janë disa nga projektet që Komuna e Vushtrrisë ka zhvilluar për të përkrahur ndërmarrësit që të krijojnë vende të punës në Vushtrri”, tha kryetari Tahiri.

Ndonëse komuna e Vushtrrisë është e njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon me kultivimin e patates, pasi që sipërfaqe të mëdha të tokave të komunës së Vushtrrisë mbillen me patate dhe mesatarisht në vit nxirren nga arat e Vushtrrisë mbi 50 mijë tonë patate,

Vushtrria është bërë e njohur edhe për industrinë e drurit dhe të tekstilit. Përpunuesit më të mëdhenj të drurit janë pa dyshim “Ciao Berto” dhe “Bini”, të cilët me prodhimet e tyre kanë pushtuar tregun kosovar. Gjithashtu në Vushtrri afarojnë suksesshëm edhe disa prodhues të tekstilit.